Bektashinjtë kanë përkujtuar sot 100 vjetorin e Kuvendit të Prishtës, një ngjarje që zyrtarizoi vendosjen në Shqipëri të komunitetit bektashian, dhe hodhi themelet e bashkimit të këtij komuniteti me çështjen kombetare nën moton “pa atdhe s’ka fe”.

Në kryegjyshatën botërore bektashiane u zhvillua sot një aktivitet ku u përkujtua jo vetëm ky kongres, por edhe kontributi i komunitetit bektashian në këto 100 vite në arsim dhe kulturë.

I pranishëm gjatë ceremonisë, presidenti Ilir Meta ka kërkuar nga institucionet shqiptare që të përfundojnë procesin e kthimit të pronave të komuniteteve fetare, dhe të mbështesin më shumë ato në rolin që kanë.

Është koha, që shteti dhe të gjitha institucionet menjëherë të respektojnë të gjitha të drejtat kushtetuese të besimeve në vend, duke filluar nga kthimi i të gjitha pronave dhe duke vazhduar me një mbështetje edhe më të madhe nga ana e shtetit, për këto besime,” – tha Meta.

“Roli që fetë luajnë është vendimtar, për stabilitetin e shoqërisë sonë, por njëkohësisht edhe për edukimin e më të rinjve, jo vetëm me besimin në Zot, por edhe me dashurinë për Atdheun, sidomos me atë kërkesë që sot, është mbarëkombëtare, për të ndalur largimin e të rinjve nga vendi ynë, në mënyrë që të garantojmë një të ardhme të sigurt, për Shqipërinë dhe për shqiptarët,” – u shpreh më tej Presidenti.