Situata e pandemisë në vendin tonë gjatë gjithë muajit prill ka qëndruar afërsisht në të njëjtin nivel rastesh të reja ditore.

3 qytetarë nuk mundën ta fitonin betejën më Covid-19 përgjatë këtyre 24 orëve në Shqipëri.

“Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor 3 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19: 2 qytetarë nga Tirana, 1 qytetar nga Shkodra, të moshave 54- 73 vjeç. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerëve.”

Sa i përket të infektuarve, Ministria e Shëndetësisë thotë se pozitivë kanë rezultuar 118 qytetarë. Në total janë kryer 2079 testime.

“Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 33 raste në Tiranë, 10 raste në Shkodër, 6 raste në Vlorë, Gjirokastër, 5 raste në Fier, Kukës, Lezhë, Skrapar, 4 raste në Devoll, Elbasan, Gramsh, 3 raste në Korçë, Tropojë, Sarandë, 2 raste në Krujë, Lushnje, Mirditë, Librazhd, Kuçovë, Vorë, Konispol, 1 rast në Durrës, Kurbin, Has, Mallakastër, Delvinë, Memaliaj, Patos, Këlcyrë.”

Në 24 orët e fundit janë shëruar 719 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 108,606 që nga fillimi i epidemisë.

Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 129 pacientë, 11 në terapi intensive, nga të cilët 3 pacientë janë të intubuar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kujton qytetarët që të mos ulin vigjilencën ndaj virusit, ndërsa në vend vijon vaksinimi.

Komiteti i Ekspertëve zhvilloi sot një mbledhje ku vendosi rikthimin e nxënësve të sistemit parauniversitar në shkolla.