Në Shqipëri arrin një kontingjent tjetër të riatdhesuarish që jetonin prej vitesh në kampin famëkeq të refugjatëve të luftës, “Al Hoël” në Sirinë veriore, në kufi me Irakun.

Riatdhesimi i 14 fëmijëve dhe 5 grave, nga kampi i luftës “Al Howl”në Siri, është operacioni i tretë që ndërmarrin autoritetet e Shqipërisë.

Ky është operacioni i tretë që realizohet në bashkëpunim mes ministrisë tonë të Brendshme dhe autoriteteve libaneze e shërbimet sekrete të disa vendeve partnere për të shpëtuar shtetasit shqiptarë që mbahen peng në këtë kamp. Më parë është mundur të riatdhesohet Alvin Berisha dhe më pas edhe Floresha Rasha dhe 4  fëmijë të tjerë.

Kryeministri Edi Rama tha se operacioni për nxjerrjen e tyre nga kampi “Al Hoël” ishte “i ndërlikuar, me shumë vështirësi dhe rreziqe për jetën.”

Rama: Do ta mbajmë me këmbëngulje zotimin për riatdhesimin

Në kampin “Al Hawl” ndodhen ende te ngujuar një numër ende i paditur grash dhe fëmijësh, prandaj sipas Ramës ky operacion nuk do të jetë i fundit.

Janë të paktën 2 persona që janë identifikuar nga autoritet shqiptare në kampet siriane, por që nuk kanë pranuar të kthehen. Rama deklaroi këtë se nga informacionet në rrugë inteligjente këta persona janë pengje dhe kanë frikë që të kthehen pasi mund të vriten në momentin e shkëputjes.

“Deri tani janë shfaqur raste sporadike do thosha, dy raste që i njohim personash dhe nuk mund të bëj emra apo të jap identitete personash që janë refuzuar, por nga informacionet e marra në rrugë inteligjente janë persona që janë pengje. Janë pengje brenda kampeve. Janë persona që nuk kthehen dot se kanë frikë, dhe frikën e kanë të bazuar në faktin se gjatë momentit të shkëputjes mund t’ju marrin jetën, kështu që në dijeninë tonë, janë dy persona që kanë refuzuar, pra që janë identifikuar, por nuk kanë bërë hapin për t’u paraqitur”, tha Rama

Drejtori i Departamentit të Antiterrorit në Policinë e Shtetit, Gledis Nano, tha në një deklaratë për mediat, se numri i saktë i grave dhe fëmijëve në kampin ”Al Howl” nuk dihet pasi ata u fshihen strukturave.

“Një pjesë e burrave dhe djemve që iu bashkuan Shtetit Islamik dhe grupeve ekstremiste islamike janë larguar dhe fshehur në terren, një pjesë tjetër kanë humbur jetën si pasojë e luftimeve. Janë rreth 30 vetë të tjerë, por pjesa më e madhe u fshihen punonjësve që bashkëpunojnë për riatdhesimin e tyre”, tha Nano.

Të dhënat e sakta mungojnë

Sipas shifrave zyrtare në kampin “Al Howl” numri i refugjatëve të zhvendosur nga vende të ndryshme ka arritur në rreth 60 mijë vetë, mes tyre gra dhe fëmijë nga familjet e “luftëtarëve të huaj” që u kapën gjatë luftimeve në Siri dhe Irak dhe u sollën në këtë kamp, që administrohet dhe është nën kontrollin e Forcave Demokratike Siriane, (SDF), të mbështetura nga SHBA.

Fëmijët e “luftëtarëve të huaj” të vrarë në luftime, të sjellë në kampin ”Al Howl” janë viktimat e pafajshme të burrave dhe të grave nga Shqipëria apo vende të tjera që u rekrutuan dhe u përfshinë në luftën për të ngritur ISIS.

Sipas shifrave zyrtare Shtetit Islamik (IS) iu bashkuan në periudhën 2012-2014 si “luftëtarë të huaj” 114 vetë nga Shqipëria iu bashkuan. Prej tyre rreth 40 janë kthyer, 20 janë vrarë dhe për pjesën tjetër nuk ka të dhëna.