Shtetet e Bashkuara të mërkurën vendosën sanksione ndaj disa shtetasve bullgarë për korrupsion, përfshirë një oligark të akuzuar për planifikimin e krijimit të një kanali TV për politikanë rusë për të ndikuar në qeverinë bullgare.

Në bazë të Ligjit Magnitsky, Departamenti i Thesarit ka vënë sanksione ndaj biznesmenit dhe oligarkut të njohur bullgar Vassil Kroumov Bojkov, ish deputetit Delyan Slavchev Peevski dhe ndaj ish-Zëvendës Shefit të Agjencisë Shtetërore Bullgare për Operacionet Teknike Ilko Dimitrov Zhelyazkov i cili u emërua në Byronë Kombëtare për Kontrollin e Pajisjeve të Mbjedhjes së të Dhënave të Zbulimit. Po ashtu sanksione janë vënë edhe ndaj kompanive në pronësi apo të kontrolluara nga këta individë. raporton Reuters.

Por duket se kjo lëvizje në Bullgari do kapë edhe Shqipërinë. Një burim diplomatik tha për faqen investigative Hashtag se rreth 28 emra biznesmenësh dhe politikanësh nga Shqipëria janë pjesë.

Burimi diplomatik saktësoi se kjo listë me 28 emrash biznesmenësh shqiptarë dhe politikanësh është duke u shqyrtuar dhe po shkohet drejt draftit përfundimtar.

Vetëm pasi të jetë marrë vendimmarrja final kjo listë do t’u komunikohet autoriteteve shqiptare, ajo do të bëhet publike.

Lista është “Need to Know Basis” që nënkupton se vendimmarrja do merret në nivelet më të larta të Departamentit të Drejtësisë, Departamentit të Shtetit, atij të Thesarit dhe Homeland Security në Uashington.