Dy punonjës të Policisë së Shtetit janë arrestuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, pasi u zbulua një rast favorizimi në Akademinë e Sigurisë.

Në pranga ka rënë kryekomisari Qetsor Gurra lektor në Fakultetin e Hetimit të Akademisë së Sigurisë dhe inspektori Dritan Lelaj polic i qarkullimit rrugor që konkurronte për të marrë gradën nënkomisar.

Hetimet për këtë rast janë zhvilluar prej disa muajsh nga SHÇBA dhe SPAK për veprat penale ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që kryejnë funksione publike dhe falsifikim të dokumenteve.

SPAK thotë se janë siguruar prova të mjaftueshme se inspektori ka ofruar/ premtuar vlerën 4 mijë euro për të fituar provimin që do e  ngrinte në gradën “Nënkomisar”.

Nga hetimet ka rezultuar se kryekomisari Qetsor Gurra ka favorizuar policin e rrugores Dritan Lelaj që të merrte përmes falsifikimit të dokumenteve gradën nënkomisar gjatë procesit të konkurrimit në Akademinë e Sigurisë për vitin 2021.

SHÇBA thotë se kryekomisari i kishte premtuar kandidatit se do ta ndihmonte për të kaluar testimin në marrjen e gradës.

Ata kishin përdorur dokumente të falsifikuara me qëllim përfitimin e padrejtë të pikëve në kualifikimin përfundimtar të konkurentëve.

Në funksion të hetimeve të kryera dhe të ekzekutimit të vendimeve penale të GJPKKO, u kryen kontrolle banesash, zyrash nga të cilat u sekuestruan prova materiale që dokumentojnë veprimtarinë e kundraligjshme te subjekteve. Hetimet për këtë rast vazhdojnë.