Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka thirrur sot në orën 15:00 mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar për të votuar një rezolutë të posaçme për situatën e krijuar në PD. Në të do të kërkohet shkarkimi i kryetarit të këshillit Edi Paloka, shkarkimi i anëtarëve të kryesisë që kane shkelur vendimin e kryesisë për thirrjen e Kuvendit Kombëtar, si dhe kryetareve të degëve të PD. Po ashtu edhe shkarkimi i 4 sekretarëve.

Kjo vjen pas Kuvendit të thirrur një ditë më parë nga ish-kryeministri Sali Berisha, në të cilin u votua për shkarkimin e kryetarit aktual demokrat Lulzim Basha. 4446 delegatë votuan pro shkarkimit të Bashës 36 prej tyre kundër dhe 9 delegatë e kanë nxjerrë të pavlefshme.

Por fjala e fundit i mbetet referendumit të thirrur për datën 18 dhjetor, ku çdo anëtarë i partisë në të gjithë vendin do të votojë për të ratifikuar votimin e të shtunës.

Në fjalën e tij pas Kuvendit Berisha e cilësoi Bashën një kufomë politike dhe i bëri thirrje Ramës që të heqë dorë nga përpjekjet e tij për t’i garantuar mbijetesën Bashës.

“Peng Basha, nuk do doja të flisja për të, i rrethuar me batalionin e policisë së Ramës. Është një kufomë politike dhe asgjë më shumë.  Selia është vetëm një dhe vetëm një. Do shkojmë në momentin më të parë që do vendosim. Ajo nuk është seli e pengjeve e rrethuar me blindat e Ramës. Ramës i them hiq dorë nga çdo përpjekje për t’i garantuar mbijetesë pengut tënd”, u shpreh Berisha.

Në reagimin e tij kreu demokrat e quajti Kuvendin e “Foltores” si një manifestim personal të Berishës kundër SHBA dhe njoftoi mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së.

“31 vjet pas themelimit u bëmë dëshmitar të një manifestimi personal të Berishës kundër SHBA. I bëjmë të ditur çdo demokrati se kjo ishte përpjekja e fundit e dëshpëruar e tij për të marrë peng PD dhe për ta kthyer në bunker të interesave personale. Asnjë deklarim i dalë nga ky tubim nuk ka asnjë lidhje me PD dhe institucionet e zgjedhura. Në përgjigje ,me falsifikimet dhe përdorimin e simboleve Kryesia ka vendosur thirrjen e Mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar nesër në orën 15:00”, deklaroi Basha.