____

“… tek ngjitet, është i përshkuar tej e tej nga drita”.
Odisea Elitis

Grigor Jovani një profil poetik tanimë i dallueshëm dhe i pangjajshëm. Lexuesi, duke shëtitur nëpër librat por dhe në ciklet e tij më të fundit, të botuara në shtyp dhe në internet, përjeton një varg befasish, sepse leximi i kësaj poezie bëhet gati i detyrueshëm, deri në frymëmarrjen tjetër. Një poezi që të bëhet e dashur dhe të intrigon, aq sa ti, si lexues, ke njohur një poet jo të lodhshëm, por një bashkëbisedues të sinqertë dhe një mik të madh të njeriut.
Jovani vjen kështu me një profil dhe shtrat poetik të konsoliduar. Amplituda e tij poetike lëviz atje, ku fle si potencë poezia. Nga prekja, ajo zë e dridhet, si një tërmet, prej ku vibrimet shpirtërore shkaktojnë, më në fund, një lloj përmbysje të rendit dhe gjërave.
Një poezi e tillë ndodhet pikërisht në kufirin me traditës dhe modernitetit, prej ku poeti ka zgjedhur një kënd moderator, për t’u ushqyer prej të dyjave njëherësh. As që shkëputet dot përfundimisht prej traditës më të mirë poetike, ndërkohë që është mjaft i vëmendshëm ndaj prurjeve më të reja të poezisë bashkëkohore. Prej burimeve të thella, prej nga ato vijnë poetikat e Grigorit, shpërndahen në stërkala të pafundme, për të na treguar se shpirti i njeriut kurrë s’ka për të vdekur.
Përherë e gjallë dhe intriguese, ajo të shpalos pamje dhe imazhe, që ushqehen prej një realiteti, që ndonëse nuk është shumë i evidencuar, bëhet përcaktues për të shfaqur misterin e botëve tona. Duke shëtitur në këtë lloj poezie, të vjen një dëshirë për të ndalur në të, për të pushur me të, pastaj për të nisur një dialog, ku poezia tani është vënë në rolin e vet të bashkëbisedimit me njeriun. Urat tashmë janë hedhur jo thjesht për miqësi, por si një nevojë për të biseduar së pari me veten. Por sa pak njerëz që i afrohen poezisë. Me sa duket, as ajo nuk ka mundet dot të zgjidhë hallet e mëdhenj të kësaj bote dhe leximi i saj sa vjen e bëhet më elitar, ndërsa jehonat do të kthehen pas edhe shumë shekuj… Një poet si Grigor Jovani ka pikërisht këtë nevojë për përkujdesje, që poezia e tij të mos mbetet brenda kapakëve të këtyre librave. Ajo duhet të udhëtojë brenda vetes së çdonjerit.
Më kujtohet që para ca vitesh, këtu në Athinë, në xhamin e pasmë të shoferit të çdo autobuzi urban, ishin ekspozuar poezi të poetëve më të shquar grekë. Njërëzit komunikonin lirshëm me Kavafin, Seferin, Elitin, Ricosin e të tjerë poetë të njohur, pa shtrëngesë, në çaste vetmie e meditimesh të thella. Në Amerikë poetët shëtisin anë e mbanë vendit, të recitojnë poezitë e tyre nëpër salla e sheshe. Por, si të bëhen poetët të dobishëm, për të shëruar plagët e njeriut? Pse poetët e shquar amerikanë bëhen kancelarë, një titull i lartë nderi dhe emërohen me detyra të poezisë, pranë Kongresit Amerikan? Tek ne poetët nuk kanë pothuaj asnjë rol edhe pse s’mund të thuash se nuk shkruhet poezi e mirë për shëndetin shpirtëror të njeriut.
Ngacmohem për të hedhur në këtë fushë diskutimin tim, pikërisht prej poezisë së Grigor Jovanit, e cila është poezi e shumë nuancave, luftarake dhe paqësore, agresive dhe të qeta, por në çdo çast e ngarkuar me mesazhe, që e ngrejnë në art të folurën tonë të përditshme. Mbi trupin ka dalë në pah shpirti njerëzor, i cili në realitet është nxjerrë jashtë ligjit, njësoj sikur ne të mos përbëheshim prej mishi, por të ishim thjesht manekinë të vendosur në vitrinat e kohës.
Tek vëllimi “Udhëtoj brenda vetes” është një poezi e titulluar “Shtëpia e vjetër”, që do ta quaja krejt jovaniane, e cila flet për kthimin në shtëpinë e prindërve, tashmë të vdekur, të cilët presin, nga ana e tyre, birin e humbur të poetit. Për të luajtur së bashku… kukamshefti. Një kthim funerabël dhe madhështor. Tejet prekëse dhe njerëzore çastet që përjeton lexuesi, duke dëgjuar rrëfimin e papërsëritshëm të poetit. Shpirti njerëzor këlthet prej humbjes së vet, ndërsa trupi vrapon nëpër orgjira të ekzistencës. Pub klube e Mc Donal-et, afera të paimagjinueshme korruptive. Njeriu i pangopur me jetë, ka humbur ndjesinë për të administruar jetën.
Po ç’përmban në vetvete kjo poezi dhe, mos vallë, ne thjesht po bëjmë një ritual për ta promovuar? Te ky thelb i diskutimit tim dua ta vendos poezinë e Grigorit, duke pohuar që në fillim, se është një poezi me parametra artistikë të dallueshëm, prej ku një studiues i letërsisë do të gjejë mjaft argumente po artistikë, për t’ia përcjellë si vlera fondit të poezisë shqipe. E kam thënë edhe më parë këtë për Jovanin. Tani thjesht kam konsoliduar bindjen time.
Në pjesën më të mirë të saj, kjo poezi kthehet në një shembull kërkimi për të mos përsëritur vetveten, kurthi ku zakonisht bien poetët, që e kanë mbyllur shpejt ciklin e tyre të kërkimit. Një mënyrë e konsoliduar shprehjeje artistike, nuk mund të kthehet në një model të ngrirë, përkundrazi. Poezia e Grigorit derivon sa në tematikë, në ide e mjetet e tjerë artistikë. Ajo tashmë ka një mision: të udhëtojë brenda shpirtit të njeriut. Dhe kjo është garancia më e madhe dhe e para, që një poezi të jetë e dallueshme.
Poezia ka një mision, pa e shpallur atë hapur. Pardje në internet pashë se si po sensibilizohej poezia në Itali, për t’u bërë pjesë e dhimbjes njerëzore, pas tragjedisë së tërmetit. Dhe me këtë rast botohej një poezi e poetit të njohur egjiptian Hafuz Ibrahim, shkruar për tragjedinë e tërmetit të Mesinës, në Italinë e vitit 1908. Dhe këtë e kish shkruar jo një poet italian, por arab. Katastrofat natyrore kthehen në ndërgjegje njerëzore.
Te poezia e Grigorit gjej shumë dhimbje të tilla, pragvdekje të shpeshta, por që në fakt mund të kuptohen si solidaritet me jetën. Poezia e ka të pamundur të mos operojë me të tilla gjendje. Njeriu i poezisë së Grigorit gjendet përherë para një habie, sepse po ndodh diçka që ai nuk e ka pritur. Poezia e kapur fort pas situatave të tilla, përveçse sjell kënaqësi në lexim, jeton më tepër se e sotmja. Pa këtë përplasje me jetën, poezia pothuaj nuk ekziston. Tagri që ajo duhet të përballojë është bërë më i rëndë dhe për shkak edhe të konkurencës së gjinive të letërsisë dhe të artit ajo lufton për mbijetesë. Një rrugë shpëtimi është edhe kjo që përdor Grigori, duke e futur atë në komunikim me përditshmërinë. Ja pse pëlqehet poezia e tij. Përmban mesazhe gati telegrafikë, por me një dendësi, që ashtu siç nxitojnë, ngulen thellë në ndërgjegjen e lexuesit.
Ne sot jemi dëshmitarë të shumë shkollave poetike, të vjetra e të reja, të traditës dhe moderne. Por, në fund të fundit, pas gjithë kësaj mbete poezia, ajo lloj poezie që shtron para lexuesit dilemat e kohës. Poezia botërore sot është edhe një fushë e gjerë eksperimentesh, aq sa s’mund të jesh kurrësesi indiferent ndaj saj. Çfarëdolloj zhvillimi e në çdo kahje synon një cak, i cili do të lerë patjetër gjurmë edhe në poezinë bashkëkohore. Prandaj dhe Jovanin e shoh një poet të tillë, me kërkim të vazhdueshëm brenda vetes, me synime të larta artistike në brendi dhe në formë, duke demonstruar në çdo rast finesën dhe përkryerjen, për t ia paraqitur lexuesit poezinë të pastër, pothuajse të kristaltë. Kësisoj, po të përdornim një thënie të Elitit, do të thonim se ky poet, teksa ngjit udhën e vet “… është i përshkuar tej e tej nga drita”. Unë e shoh këtë si një arritje të kënaqshme, e cila i hap shtigje të rinj krijuesit, në mënyrë që ai të ushtrojë artin poetik jo si zanat, por si krijim të vazhdueshëm dhe në udhë drejt përsosjes e maturimit poetik.
Në shumë poezi të librit të tij më të fundit, por edhe të librave të mëparshëm, këtë e shoh të realizuar si fakt artistik. Por një poet i mirë e ndjen përherë, se ka ende shumë rrugë përpara për të përshkuar, nga se përsosja është virtyt i talenteve të shënuar.
Ajo që më ngacmon më tepër është lumi ndjesor që sjell me vete poeti. Ato kapërcime rebele e herë-herë të pakontrolluar, me një liri të çuditshme, që realizohen përmes kësaj poezie. Një natyrë paksa e çartur, ndoshta do të ishte kostumi më ideal për një poet, që dhe në marrëzinë e vet, si lumi përmbyt brigjet e më pas tërhiqet me druajtje në shtratin e vet i menduar. Poeti në fjalë e ka veshur me kohë këtë kostum. Dhe ndjehet lirshëm brenda tij.
Ne që e ushtrojmë poezinë, kurrë nuk e kemi menduar atë si zanat, por as si mjet jetese. Ndësa një mënyrë të jetuari po. Nga ky këndvështrim, Grigor Jovani është kokë e këmbë brenda saj dhe i kapur rob, pa mundur më dot të çlirohet prej këtij dreqi të burgosur në mendje. Por ma do mendja, as që e mendon këtë çlirim. Grigori është njeriu tipik-produkt i poezisë. Në rast se e shkul prej poezisë, në çast ai vdes. Kjo ngjizje e mrekullueshme shndërrohet në kushtin parësor të një poezie, që edhe kur nuk është e realizuar tërësisht, ky trëndafil është i denjë për kopshtin magjepsës të mbrëmjes.
Dhe së fundi, doja të thosha se pesha e rëndë e realitetit, që përjetojmë në poezinë e Jovanit, përthyhet për të na i bërë sadopak më të lehta vuajtjet, prej së cilave s’presim ngushëllim tjetër. Në mënyrë të atillë, që jeta në poezi t’i ngjajë diçka edhe një loje dhe mesazhi që merret prej saj të përtypet në një formë sa më estetike.
_____


Stefan Martiko

Athinë, prill-maj, 2012