Zbardhet dëshmia e Preng Gjinit, të cilit tre ditë më parë i bënë atentat me tritol në kryeqytet.

Gjini nga spitali i Traumës ka treguar para oficerëve se nuk është në hasmëri dhe nuk ka konflikte me asnjë person.

Ai ka dëshmuar se ditën e atentatit nuk ka vënë re asgjë të dyshimtë.

Po kështu, para oficerëve ajo ka treguar edhe itinerarin e lëvizjes ditën e atentatit dhe ka thënë se ditën e 15 shtatorit ka lëvizur vetëm në disa rrugë të kryeqytetit.

Më tej 50-vjeçari ka treguar lokalet ku është ulur dhe me kë ka kryer takime.

“Nuk kam asnjë hasmëri dhe konflikte me persona të tjerë. Më është vrarë vëllai por nuk mbaj përgjegjësi për veprimet e tij. Gjatë gjithë kohës nuk kam vënë re asnjë detaj të dyshimtë. Gjithmonë lëvizja i vetëm dhe nuk kisha frikë që të ruhesha. Makinën ia merrja shpesh kushëririt, pasi më të kam marrëdhënie të mira”, është shprehur ai para oficerëve.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 15 shtator pranë Urës së Nshrakut në Tiranë. Preng Gjini mbeti i plagosur rëndë, pasi makinës së tij iu vu tritol. Ai ra pre e atentatit me tritol, teksa udhëtonte me automjetin e llojit Mercedez Benz, të tipit “A Class”.

Bashkë me të kanë mbetur edhe dy persona të tjerë të plagosur, të cilët ndodheshin rastësisht pranë mjetit kur ndodhi ngjarja. Policia dyshon se ngjarja e rëndë ka ndodhur për hakmarrje dhe ka nisur punën për kapjen e autorëve të atentatit.

Preng Gjini është vëllai i Armando (Tonin) Gjinit, ish-ushtari i Met Kananit që u ekzekutua në Rrëshen.