Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, publikoi sot emrat e anëtarëve në kuvendin e 18 dhjetorit.

“Edhe pse nuk ka qenë një standard apo traditë e PD-së të publikojë emrat e pjesëmarrësve në Kuvend, pikërisht për t’i shkuar transparencës deri në fund, kemi vendosur të bëjmë atë që premtuam, të publikojmë listën e plotë të anëtarëve të kuvendit”, deklaroi Bardhi.

Sipas tij, këtë gjë nuk e bëri referendumi për shkarkimin e Lulzim Bashës.

“Në vend të transparencës, u kyçën dyert për gazetarët. Kishte zero transparencë, siç ndodh në çdo celulë ilegale. Premtuan transparencë për publikimin e emrave të delegatëve dhe nuk e bënë. U premtua transparencë prej zotit Berisha, por gazetarët nuk u lejuan as të futeshin në stadium. Nuk ka ndodhur kurrë më parë kjo. Nuk u lejuan gazetarët sepse në stadium do të gjenit kandidatë të Jozefina Topallit apo njerëz të Tom Doshit të futur si delegatë”, u shpreh Bardhi.

Bardhi i është përgjigjur gazetarit që numëroi karriget në sallën e Pallatit Kongreseve në Kuvendin e 18 dhjetorit, i cili i tha se në sallë ishin 1 958 karrige, ndërsa e pyeti se ku ishin 3 446 delegatët. Bardhi deklaroi përballë gazetarëve se numërimi i karrigeve në sallën e Pallatit të Kongreseve është njësoj si të numërohen yjet.

“I numëruat ju? Se numëruat vetëm karriget. Përveç personave të ulur ka pasur edhe persona në këmbë. Ka pasur delegatë edhe në ambientet e tjera. Po e përsëris, unë dhe ti nuk kemi për detyrë të numërojmë karriget, kemi për detyrë të bëjmë transparencë. Keni pasur aksesin e plotë për ta bërë këtë. Të gjithë votuan me votë, unë nuk i kam vënë GPS nga pas anëtarëve të Kuvendit. Keni bërë shumë mirë që i keni numëruar karriget, po është njësoj si të numëroni yjet. Po nuk kishit pse i numëronit, sillnit kamerat dhe shikonit e numëronit ata që u regjistruan”, tha Bardhi.