Situata e Covid në Shqipëri vijon të përmirësohet. Në 24 orët e fundit është regjistruar vetëm një viktimë. Ministria e Shëndetësisë thotë se “me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor betejën me COVID-19 nuk e ka fituar 1 qytetar nga Kolonja, 70 vjeç“.

Ndërkohë në 24 orët e fundit janë shënuar vetëm 6 raste të reja pas kryerjes së 2,325 testimeve. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 2 raste në Tiranë, nga 1 rast në Fier, Lezhë, Kamëz, Prrenjas.

Situata sa vjen e përmirësohet dhe në spitale. Aktualisht në spitalet COVID po trajtohen 39 pacientë, nga të cilët 6 pacientë janë në terapi intensive dhe prej ditësh nuk ka asnjë të intubuar.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 123 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 129,431 që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht në të gjithë vendin janë 433 pacient pozitiv me Covid.