Qytetarët e infektuar me Covid-19 nuk kanë asnjë mundësi votimi në 25 Prill. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi thotë se nuk ka patur asnjë komunikim nga qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë për këtë çështje teksa thotë se i vetmi përjashtim që njeh ligji është qendrat e posaçme të votimit në spitale e burgje.

“Jo s’kemi patur se në thelb është çështje jashtë KQZ, mbase bëhet ditët në vijim. Nëse qytetarët janë me Covid apo kanë arsye të tjera, ne s’kemi asnjë mundësi për t’u ofruar votimin ku ata banojnë nëse duhet ta qasim këtë problem duhet ta qasim në mënyrë ligjore, nëse partitë dhe Parlamenti dakordësohen të gjejnë një zgjidhje”, tha Celibashi.

Në pikëpyetje duket se është edhe vota e emigrantëve, për të cilën Celibashi i kujtoi ministrit të Disaporës Pandeli Majko që të mos bëjë lojë duke ia lënë në derë dështimin e procesit KQZ-së.

“Është tërësisht një lojë. KQZ është investuar plotësisht në këtë proces, në të kundërt është zero përgjegjësia e KQZ. Duhet të ketë konsensus, ndryshe ne do bëjmë zgjedhje që një palë i pranon dhe një tjetër jo”, tha Celibashi.

Pavarësisht mungesës së një vendimmarrjeje për këtë proces, Celibashi thotë se dy janë mënyrat mbi të cilat po diskutohet parimisht.

“Shërbimi me postë ose dërgimi me email të fletës së votimit, në formë të inkriptuar”.

Lidhur me kandidimin e Tom Doshit  në zgjedhje, pavarësisht paralajmërimit të ambasadës amerikane, Celibashi dha këtë përgjigje: “Duhet të presim deri në datë 8 se cilët do të jenë kandidatët, me siguri e them që KQZ do të ketë vëmendjen ndaj çdo rasti të evidentuar publikisht për të patur një vendimmarrje në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor”.

Si komisioner shtetëror i zgjedhjeve, Celibashi do të donte që së paku modeli i ofruar nga klasa politike në Kosovë në 15 Shkurt të ishte standard edhe për Shqipërinë.