Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Taulant Balla, i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24”, duke folur për emrin e presidentit të Republikës, deklaroi se kjo çështje do të jetë pjesë e një tryeze të përbashkët.

I pyetur lidhur me përfoljet se mazhoranca do tia lerë Presidencën ose Kuvendin, PD-së, Balla theksoi se PS nuk do të marrë iniciativë emërimi të kreut të shtetit pa konsultë me PD-në.

“Mbështes Ramën, çështjen e zgjedhjes së presidentit ta kemi pjesë të një tryeze. PS ka emra brenda saj që mund të bëjnë shkëlqyer presidentin në çdo moment. Por PS nuk do marrë iniciativë për emërimin e presidentit, pa konsultë me PD-në”, tha Balla.

I pyetur nëse janë të vërtetë zërat se kreu i Kuvendit do vijë nga PD, madje mund të jetë vetë Basha, Balla vlerësoi figurën e kryetarit aktual të parlamentit, Gramoz Ruçi, duke thënë se i jep nder postit të kreut të Kuvendit.

“Është hera e parë që një parti politike në Shqipëri merr mandat të tretë dhe pritshmëria e qytetarëve është e madhe. Kemi bërë analizë të gjithë performancës sonë. Ruçi i ka dhënë dinjitet postit të kreut të Kuvendit. Ruçi do të vazhdojë të jetë në krye të parlamentit shqiptar”, u shpreh Balla.