Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, është shprehur sot se ka dyshime të arsyeshme se varianti britanik i Covid ka hyrë në Shqipëri.

Fico u shpreh se janë dërguar mostra në Angli, për analizim të mëtejshëm por të gjitha  të dhënat tregojnë se varianti i ri mund të jetë prezent në vend.

“Ka një kohëzgjatje të caktuar analiza e mostrës, janë çuar në laboratorin numër një në botë dhe kontaktojmë me to. Ato kanë pyetjet e tyre për të marrë informacionet e tyre. Me mutacion pa mutacion ne kemi shifrat, ku kemi një dyshim të arsyeshëm, dhe ky dyshim i arsyeshëm që ne u themi mostrat. Fakti që kemi një dinamikë moshore të re, një shtim të menjëhershëm të rasteve, janë të gjithë elemente me firmën e Anglisë dhe pa firmën e Anglisë kemi një dyshim të arsyeshëm. Ne duhet të marrim të mirëqenë faktin se virusi është këtu”, tha Fico.

“79% e rasteve pozitive me COVID janë të moshave 15-54 vjeç”

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, ka treguar se ka një rënie të mesatares së rasteve ditore. Fico tha se pozitiviteti po ashtu është i qëndrueshëm, por indicenca është në rënie.

Por sipas drejtoreshës së ISHP ka një rritje të infektimit të moshave të reja nga 16 vjeç deri në 24 vjeç.

“Kemi qenë shumë të vëmendshëm për të monitoruar si shifrat she situatën aktuale. Mesatarja ditore ka pasur një rënie krahasuar me javët e kaluara. Pozitiveti mbetet i qëndrueshëm. Incidenca dy javore është ulur edhe pse mbetemi në një transmetim komunitar të gjerë, ka një tendencë rënie. Nëse do e vlerësojmë ndryshimin dinamik të mostrave nga dy javëshi pararendës nga mosha 15-54 janë 79% e rasteve të testuara pozitive”, tha drejtoresha e ISHP.

Më tej Fico u ka bërë thirrje edhe njëherë qytetarëve që të zbatojnë masat dhe të kontaktojnë me mjekët.

“Dua edhe njëherë që të apelojë tek qytetarët edhe si mjeke që nëse rasti është  i rëndë të kontaktoni me mjekët”, shtoi Fico.