Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas intervistës së Fatos Nanos në emisionin Opinion që e vlerësoi kreun e qeverisë për pjekurinë politike.

I pyetur nëse Fatos Nano aspiron ende Presidencën, Rama tha se jo të gjithë politikanët kanë çmim.

“E di çmimin tim? Se normalisht i bie të jem edhe unë pjesë e këtij eksperimenti që të ka dalë me konkluzionin që të gjithë e kanë një çmim. Unë nuk kam asnjë çmim. Dhe po them me bindje jo të gjithë kanë çmim, politikanët nuk janë të gjithë njësoj”, u përgjigj Rama.

Kryeministri theksoi se me Fatos Nanon ka një marrëdhënie pozitive dhe shpeshherë i kërkon këshilla. Rama tha se vetëm ish-Kryeministri socialist e kupton për shkak të pozicionit që ka mbajtur edhe vetë në krye të qeverisë.

“Vetëm Nano më kupton sepse ka jetuar majën, kemi marrëdhënie të bukur”

E në këtë aspekt, Edi Rama ka mbajtur të njëjtën linjë si Faton Nano, kur thotë se Kryeministri është i vetëm në momente vendimtare.

“Unë me Fatos Nanon kam një marrëdhënie që është një marrëdhënie shumë e bukur sot. Sepse nuk ka në mes asnjë interefencë nga loja e shahut politik mes aktorëve. Ai me vullnetin e tij është çuar nga tavolina e shahut dhe ka zgjedhur të tërhiqet me një dorëheqje pas një fushate elektorale. Dhe për mua Fatos Nano është pikë referimi që ai ka qenë këtu jam unë, dhe duke qenë i zhveshur nga interesat dhe dinamikat e brendshme të imponuara të çdo aktori që është në tavolinën e shahut ka të gjithë qetësinë për të më dhënë opinionet e duhura kur ja kërkoj. Jam unë që kërkoj opinionet e tij, nuk është ai që ofrohet në rast se unë nuk ia kërkoj. Dhe e vërteta është që diferenca në këtë rast është se ai nuk e ka pasur një paraardhës me eksperiencën e duhur dhe talentet e duhura për të nxjerrë përfundime. Unë e kam, është një aset dhe është një fat dhe kënaqësi që në këtë detyrë të kesh mundësi të komunikosh me ata që e kanë pasur këtë detyrë përpara. Të gjithë ata që nuk kanë jetuar majën kujtojnë se në majë bëhet qejf, mbretërohet edhe çdo gjë shkon fjollë dhe jepen thjesht urdhra. Në majë je vetëm dhe erërat fryjnë nga të katër anët dhe kur duhet të marrësh vendime kyçe dhe të gjithë të tjerët rrotull nuk ekzistojnë. Jo se nuk duan, ata aty janë, por në fund je vetëm ti që do të marrësh vendim”, tha Rama.