Nga Leon Aron, Politico.eu

Një agjent i trajnuar i KGB-së, Vladimir Putin di sesi t’i fshehë ndjenjat e tij. Por në vitin 2013, kur presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Barack Obama, e përshkroi atë si “fëmijën e mërzitur,që ulet gjithmonë në bankat e fundit të klasës”, Putini tregoi se ishte i tërbuar nga inati.

Dhe me të drejtë:fëmijët që ulen në bankat e fundit, rrallë janë ambiciozë. Ndërsa Putin, ka pasur që nga dita e parë e sundimit të tij 21 vjet më parë, plane të mëdha ambicioze për veten dhe Rusinë.

Më shumë një patriot sovjetik sesa rus, një nga përparësitë e tij të para kur u bë president në vitin 2000 ishte rivendosja në pronësi të shtetit apo kontrolli i pasurive kryesore politike dhe ekonomike të humbura gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik:industritë e mëdha, gjykatat, mediat, politikën kombëtare.

Pastaj, në mandatin e tij të tretë dhe atë të katërt, ai e ktheu ambicien e tij tek gjeopolitika:me sulme ushtarake në Ukrainë dhe Krime, një aleancë me regjimin në Siri, dhe me sulme të ndryshme ndaj demokracive perëndimore, përmes atyre që KGB-ja i quante dikur “masa aktive” por të ri-formatuara si sulme kibernetike.

Tani në përvjetorin e shtatë të Anschluss-it (bashkimit) të Krimesë, shumë nga vektorët që prodhuan pushtimin e Ukrainës janë sërish këtu. Parashikimi i trajektores së tyre dhe formulimi i një plani, duhet të jetë një ndër shqetësimet kryesore të administratës amerikane të Joe Biden.

Ekzistojnë të paktën dy arsye pse Putini mund të mendojë edhe sot për veprime të ngjashme të mëdha dhe të guximshme. Njëra është strategjike dhe e qëndrueshme: lavdia për veten dhe Rusinë e tij, që të dyja të gërshetuara tashmë në mendjen e tij.

Motivi tjetër është taktik: Ai po punon për një presidencë të përjetshme – një mandat tjetër 6 vjeçar në vitin 2024, kur të jetë72 vjeç, dhe ndoshta një tjetër në vitin 2030- në një vend ku ekonomia dhe të ardhurat kanë ngecur për më shumë se një dekadë, dhe ku pandemia e Covid-19 ka lënë plagë të thella.

Për më tepër, arrestimi i udhëheqësit pro-demokracisë Alexei Navalny, shkaktoi protesta në mbi 100 qytete ruse për herë të parë që nga demonstratat anti-Putin në dimrin e viteve 2011-2012. Të njëjtët faktorë – besimet dhe perceptimet e tij me rrënjë të forta, perspektiva e zymtë ekonomike dhe nevoja e mbijetesës së regjimit të tij -iu mbivendosen atyre në vitet 2012 dhe 2013.

Në zgjedhjen më fatale të jetës së tij politike, Putini përdori “rikthimin” e Krimesë tek Rusia, për të zëvendësuar progresin ekonomik dhe rritjen e të ardhurave si një gur themeli i popullaritetit të tij, dhe kësisoj i legjitimitetit të regjimit të tij.

Ishte një manovër e guximshme dhe e shkëlqyer politike. Lev Gudkov, drejtori i kompanisë së vetme të pavarur të sondazheve në Rusi, Levada Center, e ka quajtur “mobilizim patriotik” pretendimin e ri të Putinit për legjitimitet.

Një tjetër sociolog i njohur rus, Igor Klyamkin, e etiketoi këtë zgjedhje si “patriotizëm të militarizuar në kohë paqeje”.Dhe kjo qasje funksionoi. Popullariteti i Putinit u rrit nga mesatarisht 65 për qind në vitet 2012-2013 në 81 për qind gjatë viteve 2014-2018.

Ekspertët rusë e quajtën atë “konsensusi i Krimesë” – një “kurbë emocionale” që solli “dakordësinë e rusëve për të duruar privimet në jetën e përditshme në këmbim të madhështisë perandorake”.

Dhe ne priremi që të përsërisim atë që ka funksionuar më herët. Politologët e quajnë atë “varësia nga një rrugë e caktuar”. Duke e gjetur tani veten në një pozitë më delikate në aspektin politik dhe ekonomik më shumëse në vitet 2012-2013, dhe me zbehjen e “konsensusit të Krimesë”, Putini mund të kërkojë të përsërisë atë që e ka bërë shumë mirë në të kaluarën: luftërat e shkurtra fitimtare.

Praktikisht i panjohur kur u emërua si kryeministër në gushtin e vitit 1999, popullariteti i Putinit u rrit me rreth 80 për qind që në muajt e parë të vitit 2000 kur ai nisi atë që u bë lufta e dytë e Rusisë në Çeçeni.

Vlerësimi publik më i lartë i arritur ndonjëherë – 88 për qind në shtator 2008 – erdhi pas një luftë 5-ditore kundër Gjeorgjisë. (Në atë kohë, ai ishte zyrtarisht kryeministër, pasi kishte vendosur si presidenti Dmitri Medvedev, por të gjithë e dinin se kush po i lëvizte fijet). “Interpretimi publik ishte:Ky është fillimi i Luftës së Tretë Botërore dhe ne po fitojmë!”- thotë drejtori i Levada Center, Alexei Levinson. “Nuk ka rëndësi se çfarë kemi pushtuar. Gjëja më e rëndësishme është që ne ua kemi treguar atyre se kush jemi!”- shtoi ai.

Nëse Putini dëshiron të nisë një luftë tjetër të shkurtër fitimtare, synimet do jenë në secilin rast më se të qarta. Kandidatë për t’u pushtuar janë të paktën 5 vende fqinje. Tre prej tyre – Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina – janë vendet e “konflikteve të ngrira”, që mund të dërrmohen lehtësisht nga trupat ruse apo milicitë e mbështetura prej tyre brenda këtyre vendeve apo në kufijtë e tyre.

Një tjetër vend, Bjellorusia, është gjysmë e bashkuar me Rusinë. I pesti, Kazakistani, ka më shumë rusë etnikë – 3.5 milion – më shumë sesa çdo shtet post-sovjetik përveç Ukrainës, me vendbanimin më të përshtatshëm që gjendet në 6 provincat veriore që kufizohen me Rusinë.

Sapo Talibanët të rimarrin kontrollin e plotë të Afganistanit, dhe të fillojnë të zgjerohen në shtetet e Azisë Qendrore, një Anschluss mund të portretizohet si “mbrojtje”e rusëve etnikë të Kazakistanit. Por këto 5 luftëra të mundshme nuk do të vlerësoheshin aspak me ambicien e Putinit për “ide të mëdha”, apo me misionin e tij të vetë-imponuar për të rivendosur nderin e Rusisë dhe për t`u hakmarrë për poshtërimin e saj të dikurshëm.

Këto kritere do të përmbusheshin nga një sulm i shpejtë dhe fitimtar në krahun lindor të NATO-s, të vendeve anëtare të aleancës Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë. A mund të ketë një sukses më të kënaqshëm në raport me dëshirën e Putinit për të rikuperuar lavdinë e së kaluarës, sesa një arritje që as Bashkimi Sovjetik nuk mundi ta arrinte?

Një fitore mbi aleancën që mishëron solidaritetin e Perëndimit demokratik dhe vullnetin e tij për të mbrojtur veten? Një sulm që në fund do të ekspozonte NATO-n si një “tigër prej letre”? Të gjitha perceptimet kryesore publike që e formësuan “konsensusin e Krimesë” – përkufizimi i thjeshtë i fitores, ndihma për bashkatdhetarët etnikë rusë të shtypur dhe të abuzuar, mbrojtja e mëmëdheut – do të bashkohen në mënyrë organike pa ndonjë sforcim.

Megjithëse Putini është mburrur se mund të hyjë në Riga dhe Talin brenda 2 ditësh, një Reconquista perandorake nuk ka gjasa të ndodhë.

Asnjë tank nuk ka nevojë që të futet në mënyrë triumfale në Riga apo Talin. Përkundrazi, Rusia mund të kryejë një operacion “hibrid” si ai që kryen në Krime forcat speciale dhe parashutistët elitë:3 regjimente të forcave speciale, dhe divizioni i sulmit ajror, të dislokuar aktualisht afër kufijve me Estoninë dhe Letoninë.

Objektivat më të mundshëm të një sulmi ndërkufitar përfshijnë Qarkun Idu-Viru të Estonisë, që banohet nga 74 për qind e rusëve etnikë, dhe qytetin e saj më të madh, Narva (83 për qind rusë) dhe rajonin Latgale në Letoni (36 për qind rusë) dhe qytetin Daugavpils (48 për qind rusë).

Pasi një ose të dy nga këto rajone të jenë “ribashkuar” me atdheun, rimarrja e tyre do të thoshte një luftë me Rusinë. Gjenerali John Nicholson, ish-komandant i trupave amerikane dhe të NATO-s në Afganistan, vlerësoi se NATO-s do t’i duheshin afro 90 ditë për t’u mobilizuar dhe ngritur një forcë luftarake konvencionale në Baltik, e cila të tejkalojë numrin e rusëve.

Ndërkohë, u deshën vetëm 3 javë nga pushtimi i Krimesë deri tek “referendumi” dhe “pranimi” i Krimesë në Federatën Ruse, që janë termat e Putinit për aneksimin. Si Brukseli, ashtu edhe Moska e dinë që vendet e vogla baltike nuk mund të mbrohen në planin afatshkurtër.

Rusia ka një “epërsi absolute” në pajisjet sulmuese – tanke, avionë luftarakë dhe artileri, theksonte në një raport të kohëve të fundit Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme i Estonisë.

Pastaj është përparësia më e madhe e Putinit në raport me demokracitë perëndimore: Ato duan mbi të gjitha paqen. Ndërkohë ai ka nevojë për fitore.

Idetë e mëdha i bëjnë thirrje, ëndrrat solemne e magjepsin, e pret një vend në histori. Dhe më shumë se në çdo kohë që kur ai ka qenë në Kremlin, Vladimir Putin mund të jetë në kërkim të një triumfi tjetër.