Sjellja e administratës gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e prillit të këtij viti do të raportohet në një dokument të veçantë.

Kjo do të bëhet pas përpunimit të të dhënave nga institucionet që kanë qenë të ngarkuara me monitorimin e tyre, si ato ku janë të punësuar edhe ato të rekrutimit e mbikëqyrjes.

Edhe pse tingëllon disi ironike në kushtet kur zakonisht pjesëmarrja e administratës “imponohet” nga drejtuesit, sërish Kuvendi ka kërkuar një raport të veçantë mbi këtë tematikë.

“Në bashkëpunim me institucionet që punësojnë nëpunës civilë, të hartojë një raport të posaçëm me gjetjet nga monitorimi i sjelljes së nëpunësit civil gjatë periudhës zgjedhore për vitin 2021 dhe t’i vihet në dispozicion Kuvendit të Shqipërisë” thuhet në dokumentin e Kuvendit. Detyra i është lënë Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.

Thuajse të gjitha institucionet në faqet e tyre të internetit gjatë periudhës së zgjedhjeve kërkuan që të raportoheshin të gjitha rastet kur vinin re punonjës të administratës të përfshirë në zgjedhje por praktikisht stafet politike të punësuar në institucionet publike nuk kanë munguar në organizimet elektorale.

Komsionerit në projektrezolutë i janë ngarkuar edhe një sërë detyrash të tjera të tilla si të hartojë një analizë të detajuar të shkaqeve për vakancat e paplotësuara në pozicionet e shërbimit civil, në institucionet e pavarura, administratën publike dhe institucionet e vetqeverisjes vendore.

Po kështu të bëhen përpjekje, për vijimin e asistencës dhe këshillimit të njësive përgjegjëse të administrimit të shërbimit civil në nivel vendor, për zbatimin e ligjit gjatë procesit të hartimit dhe miratimit të strukturave finale, hartimit dhe miratimit të përshkrimit të punës.

Një tjetër pikë nënvizon se Komisioneri duhet të ushtrojë mbikëqyrje konsistente ndaj institucioneve përgjegjëse të administratës publike, në lidhje me proceset e rekrutimit, ngritjes në detyrë dhe shkarkimit, me qëllim sigurimin e zbatimit korrekt të standardeve ligjore.

Nga ana tjetër të vlerësohet ndikimi i punësimit të studentëve të ekselencës duke referuar numrin konkret të këtyre studentëve që janë aktualisht pjesë e shërbimit civil. Në fund Kuvendi kërkon që Komisioneri të angazhohet në zbatimin në terma konkrete të marrëveshjes midis KMSHC dhe KLSH në të gjitha pikat e saj, duke koordinuar gjetjet nga auditimi dhe inspektimi, me qëllim mbulimin me kontroll të administratës publike, në nivel qendror dhe vendor.