Kryeministri Edi Rama ka ndërmend të shpërblejë biznesmenin amerikan, Ron Yeffet.

Edhe pse shumë kujt ky emër mund ti duket i panjohur në tregun politik shqiptar, duhet të kthehemi pak vite pas. Tek plani për ndërtimin e  Aeroportit të Vlorës dhe kompanisë së fluturimit Air Albania, një projekt i shumëkërkuar i Edi Ramës tek presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan.

Për të bërë të mundur operimin e “Air Albania”, në vitin 2018, nëpërmjet një akti të vetëm ligjor dhe formal, qeveria shqiptare me Vendimin 309, urdhëroi krijimin e kompanisë ‘Air Albania’ me pronësi kompanitë ‘Albcontrol sha’, ‘Turkish Airlines’ dhe ‘MDN Investment shpk’.

Ortaku i vetëm i kompanisë “MDN Investment” ishte Sinan Idrizi që papritur vendosi që të kalonte në favor të tre personave të tjerë, pjesën më të madhe të aksioneve të kompanisë së tij. Rreth 23% e tyre kanë kaluar në emër të Ron Yeffet, kurse nga 27% të tjera të paketës janë kaluar në emrat e Najada dhe Reajana Idrizi. Pse kjo lëvizje? Duke qenë se Edi Rama nuk donte të merrte zemërimin amerikan për bashkëpunimin me Turqinë (në atë kohë pati një përplasje të fortë Trump-Erdogan) futi në lojë ndërtuesin e pallateve në Nju Jork, Ron Yeffet, i cili mori 23 % të aksioneve. Ron Yeffet, një sipërmarrës në industrinë e ndërtimit të Nju Jorkut, vendosi papritur të hynte në biznesin e kompanive të fluturimit. I lindur në Izrael dhe bir diplomatësh, Yeffet është njohur gjithashtu nga organizatat hebraike në Amerikës dhe Izrael për punën e tij në komunitet. Yeffet ka bërë disa investime në vendet afrikane, kryesisht ndërtime në Obuja në Senengal.

Pasi projekti për kompaninë ajrore Air Albania mori dritën jeshile, po në 23 gusht të 2018, Idrizi dhe Ron Yeffet shitën kuotat e tyre te Rejana dhe Najada Idrizi për 46 mijë euro.

Tashmë Ron Yeffet do të shpërblehet. Ai kërkon jo vetëm koncesionin e aeroportit të Vlorës, por edhe të hyjë në fushën e hidrokarbureve në Shqipëri.

Ndërkohë, dyshohet se biznesmeni amerikan mund të jetë edhe pas kërkesës për marrjen me koncesion të porti turistik të Vlorës. Tenderi është shpallur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, pasi kjo e fundit ka marrë një ofertë të pakërkuar nga një kompani, emri i së cilës nuk shfaqet në dokumentet e prokurimit.

Sipas procedurës për portin në fjalë është hapur garë deri në 26 shkurt, ku ftohen edhe operatorë të tjerë të shfaqin interesin, ndërsa vlera e këtij investimi sipas Ministrisë së Infrastrukturës nuk duhet të përllogaritet nga ofertuesit me e vogël se 23 milionë euro.

Koncesioni do të ketë jetëgjatësi 35 vite, dhe do të bëhet me financim 100% nga privati.