Qeveria shqiptare ka vendosur dhënien e mbrojtjes së përkohshme të shtetasve afganë për një periudhë 1-vjeçare. Sipas Këshillit të Ministrave, kjo mbrojtje nis që nga momenti i hyrjes së tyre në Shqipëri.

Gjithashtu, qeveria ka miratuar krijimin e një strukture të tipit Task-Forcë, për menaxhimin e fluksit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare nga shtetasit afganë dhe personat pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm apo përhershëm të Republikës Islamike të Afganistanit.

Task Forca përbëhet nga: Ministria e Brendshme, Ministri e Mbrojtjes, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Detyra kryesore e Task Forcës, është ajo e negocimit me partnerët ndërkombëtarë për çështjet që lidhen me qëndrimin e afganëve në Shqipëri.

Ndërsa hartimi i planit të veprimit për menaxhimin e fluksit të refugjatëve, është një tjetër detyrë. Struktura do të ketë përgjegjësi në koordinimin e pritjes dhe akomodimit të afganëve.

Po ashtu, ajo do të evidentojë nevojat emergjente për t’i paraprirë punës me ndryshimet e mundshme në kuadrin ligjor. Analizimi i kërkesave buxhetore shtesë për funksionim, do të jetë detyra tjetër e Task-Forcës. Periudha e veprimtarisë mbetet me afat deri në përfundimin e situatës.

Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë pasi është botuar në Fletoren Zyrtare. Prej një jave Shqipëria është në pritje të mbërritjes së refugjatëve afganë pas marrjes së pushtetit atje nga ana e talebanëve. Mbërritja e tyre është vonuar para së gjithash për shkak të situatës akoma kaotike në aeroportin e Kabulit.

Ata pritet të strehohen në konvikte dhe qendra pritjeje në Tiranë, Durrës dhe Berat. Sipas kryeministri Rama, parashikohet që në Shqipëri të mbërrijnë të paktën 3 mijë afganë.