Ndërkohë në shtëpinë e Juventusit ka edhe një çështje Chiellini i cili është në skadencë kontrate në fund të këtij sezoni, por në drejtim të kapitenit ende nuk ka mbërritur një ofertë për rinovimin

Shtohen gjithnjë e më shumë zërat për një rikthim të mundshëm të Marcello Lippit te Juventusi, tashmë jo më si trajner, por si drejtor i zonës teknike të klubit. Një zgjidhje kjo e menduar nga presidenti Andrea Agnelli i cili ka vendosur ti japë prioritet projektit të Andrea Pirlos dhe për t’ia bërë gjërat më të thjeshta ish-mesfushorit bardhezi me afrimin e njohjeje të vjetër si Lippi i cili me rikthimin e tij te Juvja nuk do të forcojë vetëm strukturën tekniko-menaxheriale, por mund të jetë edhe një mbështetje e madhe për Andrea Pirlon i cili ka ende për të mësuar në rolin e trajnerit.

Eksperienca e Lippit

Në kampin juventin as që duan ta mendojnë se Lippi me kalimin e muajve mund të zëvendësojë Pirlon në stol në rast se ky i fundit dështon në përmbushjen e objektivave, por edhe kjo hipotezë ekziston.

Agnelli është i sigurt se skuadra mund të përfitojë shumë nga eksperienca e Lippit i cili e ka drejtuar Juven në dy periudha të ndryshme nga viti 1994 deri në vitin 1999 dhe nga 2001 deri në 2004-ën teksa ka fituar 5 tituj kampionë, 1 Champions League e fundit për bardhezinjtë, 1 Kupë Interkontinentale një Superkupë Europe, 1 Kupë Italie, dhe 4 Superkupa Italie. Një palmares unik ky për njeri që i ka dhënë shumë futbollit ndërsa ka arritur suksese edhe me kombëtaren italiane si Kupa e Botës në vitin 2006 dhe në Kinë me Guangzhou Evergrande, dhe në moshën 73-vjeçare Lippi mund të rikthehet sërish në aksion.

Çështja Chiellini

Ndërkohë aktualisht në shtëpinë e Juventusit ka edhe një çështje Chiellini i cili është në skadencë kontrate në fund të këtij sezoni, por në drejtim të kapitenit ende nuk ka mbërritur një ofertë për rinovimin nga drejtuesit e klubit. I intervistuar nga mediat italiane Davide Lippi, djali i Marcelo Lippit i cili është edhe menaxheri i Chiellinit ka deklaruar, se askush nuk është bërë i gjallë lidhur me çështjen e rinovimit të  mbrojtësit, duke lënë të hapur çdo hipotezë të mundshme.