Ajay Banga do të jetë presidenti i ri i Bankës Botërore për një mandat pesë vjeçar. Bordi i guvernatorëve të Bankës Botërore zgjodhi të mërkurën ish-drejtorin ekzekutiv të Mastercard Ajay Banga për një mandat pesë-vjeçar si president, duke sjellë një ekspert financash dhe zhvillimi me origjinë indiane për të rinovuar politikat e institucionit mbi ndryshimet klimatike dhe krizat e tjera globale.

Banga, 63 vjeç, u propozua për këtë post nga Presidenti i SHBA Joe Biden në fund të shkurtit dhe ishte pretenduesi i vetëm për të zëvendësuar shefin në largim të Bankës Botërore, David Malpass, një ekonomist dhe ish-zyrtar i Thesarit të SHBA-së, i cili shërbeu në administratën Trump. Ai fillon punën e re më 2 qershor.

Zgjedhjet erdhën pasi anëtarët e bordit të Bankës Botërore intervistuan Bangan për katër orë të hënën. Dita e fundit e Malpass në bankë do të jetë 1 qershori. 24 anëtarë të Bordit votuan pro, ndërsa vetëm Rusia abstenoi.