Policia e Tiranës ka arrestuar një 33-vjeçar që vidhte dyqanet në kryeqytet gjatë natës. I arrestuari Arqil Xhepa u vu në pranga falë operacionit policor të koduar “Akrepi i natës”. 12 raste të vjedhjeve kanë dokumentuar oficerët e Komisariatit Nr.3 të Policisë së Tiranës. Arqil Xhepa ka qenë i dënuar më parë për vjedhje dhe prodhim e shitje e lëndëve narkotike, ndërsa aktualisht ka qenë i shpallur në kërkim nga Komisariati Nr.2 për vjedhje.

Blutë kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe 59-vjeçarin me iniciale L.Sh., personi i cili blinte nga 33-vjeçari sendet që ky i fundit vidhte nëpër biznese. 59-vjeçari akuzohet për përvetësim të parave ose mallrave që rrjedhim nga vepra penale ose veprimtari kriminale.

Arqil Xhepa, gjatë orëve të vona të natës, kryente vjedhje në biznese në zona të ndryshme të Tiranës. Më pas, sendet e vjedhura ia shiste 59-vjeçarit.

Nga hetimet ka rezultuar se 33-vjeçari Xhepa është autor i 12 vjedhjeve të ndryshme.

Më datë 03.01.2022, në rrugën “Prokop Mima”, dyshohet se ka vjedhur një aparat celular dhe një shumë parash në dyqanin me administratore shtetasen B. H.;

Më datë 10.01.2022, në rrugën “Don Bosko”, dyshohet se ka vjedhur në lokalin në pronësi të shtetasit F. K.;

Më datë 12.01.2022, në rrugën “Gjergj Elez Alia”, dyshohet se ka vjedhur një shumë parash dhe disa pajisje në dyqanin e shtetases Xh. D.;

Më datë 15.01.2022, në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”, dyshohet se ka vjedhur një shumë parash dhe një laptop, në dyqanin e shtetases S. R.;

Më datë 15.01.2022, në rrugën “Reshit Çollaku”, dyshohet se ka vjedhur një laptop në banesën e shtetases O. K.;

Më datë 16.01.2022, në “Rrugën e Kastriotëve”, dyshohet se ka vjedhur një laptop dhe një shumë parash në dyqanin e shtetases B. M.;

Më datë 25.01.2022, në bulevardin” Zogu I”, dyshohet se ka vjedhur një shumë parash dhe disa dokumente, në zyrat e një kompanie;

Më datë 26.01.2022, në rrugën “Mine Peza”, dyshohet se ka vjedhur në dyqanin e shtetasit A. R.;

Më datë 26.01.2022, në “Rrugën e Bogdanëve”, dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në dyqanin e shtetasit N. L.;

Më datë 27.01.2022, në rrugën “Bardhok Biba”, dyshohet se ka dy laptopë në studion e shtetasit E. G.;

Më datë 28.01.2022, dyshohet se ka tentuar të vjedhë dyqanin e shtetasit F. K.;

Më datë 29.01.2022, ne rrugën “Gjin Ndue Shpata”, dyshohet se vjedhur një laptop në studion e shetasit L. F.

Në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi tre celularë, tre laptopë, tre biçikleta, një aparat fotografik, një palë syze dhe mjete që dyshohet se autori i përdorte për kryerjen e vjedhjeve.