Luan Cenollari, babai i dy fëmijëve që humbi jetën si pasojë e aksidentit në zonën e 21 Dhjetorit ishte efektiv në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

Situata e vështirë ekonomike e kishte detyruar atë të punonte si taksist orët e mbrëmjes, ndërsa viktimë e aksidentit mbeti dhe klienti i tij 69-vjeçari Ali Bajo.

Në një postim në rrjetet sociale, sindikata e burgjeve sqaron se pagat e ulëta në polici, mospagesa e orëve shtesë dhe punën në ditët e pushimit javor, detyrojnë kolegët që të kryejnë një punë të dytë pas shërbimit ose të vetëlargohen nga shërbimi për shkak të diskriminimit në pagë e kushte pune.

Vetëm përgjatë vitit 2021, sipas saj, janë vetëlarguar nga Policia e Burgjeve mbi 220 punonjës dhe ky trend po vazhdon në gjithë sistemin.

Situata mbetet akoma më shqetësuese lidhur me patrullimet përgjatë orarit policor. Emirjan Doko, drejtuesi i automjetit tip “Citroen” që shkaktoi aksidentin me dy viktima, jo vetëm që lëvizte tej normave të shpejtësisë për shkak të gjendjes së dehur, por edhe shkeljes së disa semaforëve deri në kryqëzimin e “21 dhjetorit”.

Veç të tjerash, automjeti nuk ishte ndaluar, ndërsa 31-vjeçarit të cilit iu komunikua masa e arrestit në spital, lëvizte me pushkë me vete.

Për ngjarjen e rëndë reagoi dhe Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Në një postim në Facebook, krahas ngushëllimeve për humbjen e jetës së Luan Cenollarit, u shpreh se është në dijeni të situatës në sistemin e burgjeve dhe se po bën përpjekjet maksimale që ajo të ndryshojë.