Një muaj më parë, prestigjozja amerikane New York Times, tronditi publikun ballkanik me një artikull bombastik për Aleksandër Vuçiç. Një fejton i gjatë akuzues që fliste për lidhjet e presidentit serb me mafian më barbare në Serbi, ku njeriu që lidhte fijet është Danilo, djali i madh i Presidentit, ka trazuar pushtetin e njeriut më të fuqishëm në Serbi.

Presidenti Vuçiç ka gjithçka; pushtetin ekzekutiv, parlamentin, pushtetin vendor. Por nga artikulli i prestigjozes amerikane, “toka po i dridhet nën këmbë”.

Vuçiç turfulloi duke akuzuar CIA-n si sponsore e shkrimit, por ambasadori i fuqishëm i SHBA në Serbi, Chris Hill, me shpoti deklaroi në mediat e Beogradit se CIA-as nuk i kërcet për presidentin serb. Ç’ka ishte një qëndrim se gjithçka ka të bëjë me fakte tronditëse që janë sjellë si rezultat i hulumtimit të gazetarëve.
Faktet mbi Vuçiç nuk se ishin të panjohura më parë, por të publikuara nga New York Times, i dhanë një fuqi edhe më të madhe akuzave, duke paralajmëruar sipas të gjitha gjasave zhvillime të tjera. Të cilat do të çojnë padyshim në dobësimin e presidentit serb. Njeriu që u shfaq më i tronditur për shkrimin e prestigjozes amerikane, ishte pikërisht Edi Rama, i cili ka edhe një marrëdhënie të afërt me Vuçiçin, me të cilin përveçse miqësisë ndajnë edhe këshilltarët e huaj.

Nuk ishte aspak i rastësishëm një lajm i dalë këto ditë mbi kultivimin e opiumit në Vlorë, ç’ka e kthen Shqipërinë në një stad edhe më të rrezikshëm të prodhimit të lëndës së parë për drogën, mankthin e SHBA-së. E cila ka sjellë në Tiranë zyrën e posaçme e DEA-s dhe sipas të gjitha gjasave e ka sinjalizuar këtë fenomen, që nuk është se ka nisur tani, pasi opiumi nuk rritet për një ditë.

E ky fakt duket ka alarmuar Edi Ramën, i cili, jo si zakonisht, ka përhapur jehonën e takimit me Alex Sorosin në vilën e Enver Hoxhës. Sorosi i ri ka lidhje të afërta me New York Times-in.

Sidomos tani që zgjedhjet e 14 majit nxorën edhe fytyra të fuqishme politike që mund të konsiderohen si zëvendësues apo pasues të tij. Erion Veliaj, Belinda Balluku, dhe jo vetëm, kanë dalë në dritë si rivelacionet politike të zgjedhjeve, e kjo ka rritur xhelozinë e Sulltanit, i cili nuk e fshehu edhe në shpotitë ndaj Lalit. Sipas të gjitha gjasave, ai është njeriu më i pagëzuar nga fitorja e tij e madhe më 14 maj. E këtu Sali Berisha ka të drejtë, pasi e njef më mirë se çfarë do të thotë pushtet i madh. Edhe Berishës fundi i erdhi pikërisht kur mendonte se kishte fituar gjithçka. Siç duket është një mallkim se kush fiton zgjedhjet në maj, do të përmbyset shpejt. I vetmi që e ka provuar këtë është Sali Berisha më 26 maj 1996. Shqiptarët e njohin mirë këtë bestytni, ndaj asnjëherë nuk kanë pranuar të martohen as në maj e as në gusht. Që janë të përmbledhur me proverbin: Maj e vaj, gusht e grusht!
_____

(Pamfleti)