Ambasada e Greqisë në Shqipëri zbardhi temat e diskutuara mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij grek, Kyriakos Mitsotakis. Përmes një postimi në “Facebook”, ambasada tha se në darkën e punës, dy krerët diskutuan për marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje.

“Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, organizoi një darkë për nder të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me rastin e mbërritjes së tij në Athinë, për të marrë pjesë në konferencën e Economist. Të dy kryeministrat patën mundësinë për të diskutuar rrjedhën e marrëdhënieve bilaterale, si dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë, të cilën Greqia e ka mbështetur ndër vite, duke respektuar gjithnjë kushtet përkatëse të vendosura nga Këshilli Evropian. Ata shprehen kënaqësinë për bashkëpunimin e tyre në kuadrin e NATO-s.”

Referuar reagimit të selisë diplomatike, Edi Rama dhe Mitsotakis janë dakordësuar për të zgjidhur çështjet e mbetura peng.

“Gjithashtu u referuan veçanërisht në praninë e Pakicës Kombëtare Greke në Shqipëri, e cila duhet të jetë një urë miqësie dhe bashkëpunimi midis dy popujve, ndërsa rëndësi iu kushtua forcimit të marrëdhënieve bilaterale ekonomike dhe tregtare. Dy kryeministrat shprehën kënaqësinë e tyre për integrimin tërësisht normal të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqi. Së fundmi, ata ranë dakord të bashkëpunojnë, në mënyrë që të dy vendet të zgjidhin shpejt çështjet e pazgjidhura në të kaluarën në kuadrin bilateral dhe të çlirojnë potencialin e madh që mund të krijojë marrëdhënia strategjike midis dy vendeve.”

Edi Rama dhe Kyriakos Mistotakis patën një darkë pune të martën. Darka e punës erdhi në kuadër të vizitës zyrtare të kryeministrit tonë në Athinë, për shkak të konferencës së organizuar nga “The Economist”. Ky takim mes tyre vjen në një kohë kur në të dy vendet po diskutohet për kufijtë detarë.