Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia janë përplasur në Shqipëri përmes selive diplomatike në Tiranë për lirinë e medias.

Ambasada e SHBA në Tiranë shkruante një ditë më parë në faqen e saj në Facebook se Rusia vazhdon fushatën e saj kundër medias së pavarur.

Në një status, ambasada përmend gazetarë dhe aktiviste të njohur rusë, të cilët janë vrarë për shkak të detyrës dhe në rrethana misterioze.

“Ndërsa qeveria ruse vazhdon fushatën e saj kundër medias së pavarur, ne jemi të vetëdijshëm për historinë e gjatë të saj armiqësore dhe persekutuese ndaj shtypit të lirë. Kjo sjellje ka pasoja tragjike dhe ne i nderojmë ata të cilët rrezikuan jetët e tyre duke ndjekur të vërtetën”, shkruan ambasada amerikane.

Ambasada ruse dhe ajo e SHBA ‘përplasen’ në Tiranë

Disa orë më vonë ka reaguar ambasada ruse në Tiranë, e cila shkruan se kanë qenë ndjekësit ata që kanë kërkuar të komentojnë publikimin e radhës së Ambasadës Amerikane, në të cilin përmendej Rusia.

Ndjekës tanë në Facebook na kërkuan të komentonim publikimin e radhës së Ambasadës Amerikane, në të cilin përmendej Rusia.

Nuk e shohim të nevojshme të reagojmë ndaj këtij publikimi, pasi vetë ndjekësit e faqes së Ambasadës Amerikane u përgjigjën për ne”, shkruan ambasada ruse.

Ambasada ruse dhe ajo e SHBA ‘përplasen’ në Tiranë

Kjo nuk është hera e parë që dy ambasadat përplasen në Tiranë. Më herët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia janë përplasur në Shqipëri përmes selive diplomatike edhe për opozitarin rus Aleksej Navalni, i cili ndodhet në burg në Rusi.