Ambasadorët e vendeve anëtare në Bashkimin Evropian mendojnë se Shqipëria nuk është ende gati për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, pasi ka ende punë për të bërë për kushtet e vëna në mars 2020, sipas raportimit nga Brukseli të Euronews-it.

Komisioni i Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper), i përbërë nga ambasadorët e secilit vend anëtar, ra dakord të hënën për një sërë konkluzionesh lidhur me zgjerimin e BE-së, veçarisht për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ambasadorët vlerësuan punën e Shqipërisë për reformat, por theksuan se përpara konferencës së parë ndërqeveritare, vendi duhet të tregojë përparim më të madh në realizimin e kushteve të vëna nga udhëheqësit e BE-së në mars 2020.

Ata ranë dakord se konferenca e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut mund të mbahet sapo të zgjidhjet mosmarrëveshja me Bullgarinë.

Bullgaria ka bllokuar nisjen e bisedimeve të pranimit për Maqedoninë e Veriut. Në 17 nëntor, ajo refuzoi të miratojë kornizën e negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut në mbledhjen e ministrave të jashtëm të BE-së.

Ministrja e Jashtme Ekaterina Zaharieva tha Bullgaria nuk mund ta mbështesë nisjen e negociatave për shkak të mosmarrëveshjeve me Shkupin lidhur me historinë dhe gjuhën. Bullgaria pretendon se gjuha maqedonase është një dialekt i bullgarishtes dhe se identiteti kombëtar maqedonas është stisur pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo kërkon që ky informacion të shkruhet në dokumentin për nisjen e negociatave.

Italia u përpoq të zbuste tekstin e konkluzioneve për Shqipërinë, por kjo u refuzua.

Përfundimet e arritura sot nga ambasadorët duhet të miratohen nga këshilli i ministrave të jashtëm dhe për çështjet evropiane të vendeve të BE-së (GAC).

Nisja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të miratohet në mars 2021.