Ambasadori britanik në Shqipëri, Duncan Norman, iu rikthye sërish ngjarjeve politike në vend.

Nga qyteti i Korçës, ambasadori shprehu sërish zhgënjimin e tij për faktin që “ka pasur me ndryshimet kushtetuese pas miratimit, që shkoi përtej asaj çka ishte në marrëveshjen e 5 qershorit. Arsyeja pse jam i zhgënjyer është fakti që Shqipëria ka një kohë të gjatë të bërjes së reformave në mënyrë konsensuale, por këtë herë fatkeqësisht kjo gjë nuk ndodhi”.

Ambasadori refuzoi të komentonte mbi presidentin Ilir Meta, “nuk është e drejtë për mua që të komentoj atë që është e drejtë apo jo e drejtë për një president të një vendi”, por nënvizoi rëndësinë që ka krijimi sa më parë i Gjykatës Kushtetuese, që cilëson “një prioritet absolut”.

Për sa i përket zgjedhjeve, Norman deklaroi gjithsesi se më shumë se sistemi zgjedhor, i rëndësishëm është “vullneti politik dhe dëshira për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.