Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Duncan Norman, ka deklaruar sot se vullneti i shqiptarëve nuk është respektuar si duhet edhe pse demokracia në vitet e fundit ka pasur përmirësime.

Në konferencën “Kostot e demokracisë-II; Paratë në politike dhe integriteti zgjedhor“, Norman u shpreh se janë bërë shumë gabime dhe zgjedhjet e 25 Prillit do të jenë shumë deçizive dhe do të shihet me kujdes financimi i partive politike në fushatë.

“Gjatë këtyre 30 viteve të fundit demokracia shqiptare ka bërë progres por është përballur edhe me probleme. Vullneti i popullit shqiptar ende nuk po respektohet plotësisht. Fenomene negative kanë vazhduar, si keqpërdorimin i zyrës publike, intimidimi i votuesve, apo blerja e votës. Vazhdon të ketë mungesë transparence sa i takon financimit të partive. Zgjedhjet e 2021-shit do jenë sfiduese, jetike, një hap i rëndësishëm drejt demokracisë dhe integrimit europian“, u shpreh ai.

Më ambasadori tha se “Ambasada britanike ka një paketë që nxit transparencën dhe ndihmon Shqipërinë drejt një procesi elektorali demokratik. Nuk kam asnjë dyshim që së bashku me partnerët tanë ne mund t’ia arrijmë kësaj, të sigurojmë që këto zgjedhje janë një hap i rëndësishëm përpara në sigurimin e demokracisë në Shqipëri”.

Edhe ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, u ka bërë thirrja partive politike që të kenë kujdes me kandidatët pasi qytetarët nuk duan të votojnë kriminelë.