Sebastiano Vernazza – Gazzetta dello Sport

Është shumë herët të thuhet nëse Interi është rikthyer, por fitorja në Çeki konfirmon se ringjitja është në vijim. Të fitosh nuk është aspak e lehtë, aq më pak në Champions League. Viktoria Plzen nuk është një kundërshtar për shëtitje. Ka një histori të pasur rastesh në udhëtimet në Lindje, të lehta në dukje dhe të mbyllura me rezultate të këqija.

Stadiumi i vogël dhe plot, presioni mbi kundërshtarin, kundërshtarët vrapojnë si të mallkuar. Interi ka demonstruar kalibrin teknik superior dhe një fizik që mund të përballojë shumë goditje. Golin e 0-1 e shënoi Edin Dzeko, me 36 vite jetë mbi supe dhe 26 gola në Champions League.

Një goditje e saktë, e ftohtë, rezultat i përvojës. Një gjest i memorizuar me kalimin e kohës. Është e rëndësishme që për të dytën herë radhazi nuk u pësuan gola, 1-0 kundër Torinos dhe 2-0 dje, me portierë të alternuar. Të shtunën Handanovic, më i miri i ndeshjes; dje Onana, pothuajse joaktiv.

Të promovuar- Acerbi i kontestuar fort nga tifozët zikaltër e kaloi provimin e parë, performanca e tij ishte pa paqartësi. Do të nevojiten më shumë teste, por në të ardhmen e afërt zgjedhja e Acerbi konfirmohet si logjike dhe funksionale. Qendërmbrojtësi zëvendësoi De Vrij dhe ishte në lojë më së shumti, raportet e tregojnë atë si lojtarin e Interit që ka prekur më shumë topa (126) dhe ka bërë më shumë pasime (110).

Në pjesën e parë mund të shënonte me një goditje në zonën çeke. Këto janë numrat dhe gjurmët e një ambientimi të papritur. Acerbi ka luajtur 135 ndeshje në Lazion e Simone Inzaghit dhe shumë të përbashkëta mund të bëhen vlerë, nëse qëndrojmë në të tashmen dhe nuk shkojmë në të ardhmen e largët. Mbrëmja në Plzen ka vetëm një notë kritike: Interit iu desh shumë kohë për të shënuar golin e sigurisë.

Interi dominoi, gëzoi epërsi numerike nga çerek ora e pjesës së dytë. Një rënie tensioni, më pas Dumfries riaktivizoi rrymën me 2-0 për asistin e Dzekos dhe gjithçka përfundoi aty. Në një kontekst më të vështirë do të ishte paguar deficiti momental i mentalitetit.

Në çdo rast, dy fitoret radhazi, ndaj Torinos dhe Viktoria Plzen, pa pësuar gol, janë përgjigja e duhur për një fillim të gabuar. Të dielën në Udine testi i “nuk ka dy pa tre”, ndaj një kundërshtari të patretshëm, sepse është muskuloz dhe i shpejtë.

Një tjetër lajm i mirë për zikaltrit, vonë në mbrëmje, ishte fitorja e pastër e Bayernit ndaj Barcelonës. Rezultat që i shtyn gjermanët drejt një kualifikimi të shpejtë. Më mirë kështu, Bayerni është i paarritshëm. Interi e ka kapur Barcelonën në vendin e dytë në grup, teksa këto dy skuadra do të rivalizojnë fort për t’u kualifikuar në 1/16.

Gjërat do të qartësohen pak më shumë në dy përballjet direkte, më 4 tetor në “San Siro” dhe 12 tetor në “Camp Nou”. Barça është një ekip i bukur, por i papërsosur, ende jo plotësisht i zhytur në idetë e trajnerit Xavi.

Është e vështirë të përcaktohet sot nëse Interi mund t’i mposhtë të paktën një herë katalanasit, kusht i detyrueshëm për kalimin e turit. Përshtypja është se Barça qëndron një kat më lart, por nuk duhet nënvlerësuar rikthimi i Lukakut, i cili u “zhduk nga radari” për shkak të dëmtimit.