Carlo Ancelotti nuk e filloi vitin 2021 në mënyrën më të mirë, me Evertonin e tij që humbi 2-1 ndaj West Ham në ndeshjen e fundit të Premier League. Megjithatë, nuk është vetëm Anglia në kokën e trajnerit italian, i cili gjithmonë shikon me shumë interes se çfarë ndodh në Serie A.

“Që Milani po bën shumë mirë, kjo është e qartë. Kuqezinjtë kanë gjetur vazhdimësi dhe qëndrueshmëri, edhe pse në periudhën e fundit nuk kanë pasur Ibrahimovic, lojtari i tyre më i rëndësishëm”. Këto janë fjalët e tij në mikrofonët e “Radio Anch’Io Sport”. Më tej, vijon me prognozën e supersfidës së të mërkurës, mes Milanit dhe Juventusit: “Nuk do të jetë vendimtare. Për mua, ky duel do të tregojë mbi të gjitha nëse Juve është kthyer me të vërtetë, siç duket se thotë rezultati i djeshëm. Unë jam shumë dashamirës për Pirlon, nuk kam dyshim se do të bëjë mirë. Është normale të kesh disa vështirësi për të gjetur ekipin e duhur në fillim”.

INTER DHE ERIKSEN

Ancelotti gjithashtu u përqendrua në momentin e Interit: “Pavarësisht nga eliminimi prej Champions-it, është një kandidat për titullin prej forcës së skuadrës dhe cilësisë së trajnerit. Do të kishte qenë kështu edhe nëse vijonte garën në Europë, paralelisht. Menaxhimi i angazhimit të dyfishtë, në fakt tani është pothuajse më i komplikuar për një ekip, nëse nuk ka ndeshje europiane. Vështirësitë e Eriksen? Një lojtar i shkëlqyeshëm, me cilësi, por ajo që po i ndodh tek Interi lidhet me mungesën e vazhdimësisë në lojë. Janë çështje të brendshme, që nuk i di dhe nuk dua të ndërhyj”.

Në fund, për rilindjen e futbollit milanez, Ancelotti shpjegon: “Ka investitorë të fortë tek Interi dhe Milani, me kapacitete menaxheriale që po bëjnë mirë. Një mbi të gjithë, Maldini, i cili është protagonist i një pune të madhe rekrutimi, pavarësisht se nuk ka forcën ekonomike të klubeve të tjera”.

PIRLO DO TË BËJË MIRË

Ancelotti e njeh Pirlon shumë mirë, pasi e ka stërvitur te Milani: “Unë nuk i rekomandoj asgjë në veçanti, jam shumë i dhënë pas tij dhe i bindur se do të bëjë mirë për Juven. Vështirësitë janë normale për një trajner të ri. Një kohë për ta sistemuar skuadrën u duhet të gjithëve. Një lojtar i shkëlqyeshëm jo gjithmonë dëshmon se është një trajner i shkëlqyeshëm, por ka shumë ish-kampionë, që janë bërë trajnerë të shkëlqyeshëm”.

OBJEKTIVI KHEDIRA

Ai që kurrë nuk e ka fshehur admirimin për Premier League është Sami Khedira, jashtë planeve të Juventusit. Kush e di nëse aventura e tij e ardhshme nuk do të jetë saktësisht Evertoni: “Skuadra që kemi është konkurruese, për momentin kemi të dëmtuar disa lojtarë të fortë si Allan dhe Digne, por ata do të rikuperohen shpejt. Unë do të thoja që investimet e bëra në qershor janë të mjaftueshme”.

MUNGESA E TIFOZËVE

Në Angli, situata e koronavirusit është përsëri alarmante. Futbolli gjithashtu po preket. “Në dy ndeshjet e fundit në shtëpi kishim dy mijë njerëz në stadium dhe ishte krejt tjetër gjë, efekti dhe ambienti kishin ndryshuar totalisht, – shpjegoi Ancelotti, – por fatkeqësisht gjërat janë reciproke dhe po mbyllemi përsëri. Qëllimi i të gjithëve është që të ketë njerëz në stadium, ky është thelbi i kësaj loje. Unë e kuptoj që futbolli mund të jetë një mjet i rëndësishëm, por pa spektatorë është një gjë krejt tjetër”.