Andi Ballta synon të bëhet pronar i Bankës Amerikane të Investimeve (ABI Bank). Drejtori i përgjithshëm i bankës aktualisht zotëron 30% të kuotave të institucionit financiar Tranzit, që është edhe aksioneri i vetëm i ABI Bank.

Pjesa e mbetur, prej 70% të aksioneve mbahen nga dy shoqëri NCH Balkan Fund dhe New Century Holdings, që kontrollohen nga kompania amerikane NCH Capital. Këtë vit palët kanë paraqitur për miratim pranë rregullatorëve shqiptarë një marrëveshje sipas të cilës Andi Ballta do të përfitojë 90% të aksioneve në Tranzit, ndërsa dy fondet e NCH Capital do të mbajnë vetëm 10%. Ky transaksion e bën Andi Balltën në mënyrë të tërthortë aksioner kontrollues të ABI Bank.

Shitja e aksioneve është miratuar nga Autoriteti i Konkurrencës, që nuk e ka vlerësuar transaksionin në fjalë si përqendrim. Në vitin 2014, kur Andi Ballta hyri si aksioner në Tranzit, marrëveshja kuadër parashikonte në mënyrë të posaçme se kontrolli në shoqëri do të ushtrohet nga të tre ortakët dhe asnjë prej vendimeve nuk do të bëhet efektiv pa votën pro të të gjitha palëve. Kjo pikë ngelet në fuqi edhe me marrëveshjen e re dhe vendimmarrja në shoqëri do të vazhdojë të bëhet me unanimitet. Duke u nisur nga ky fakt, Komisioni Konkurrencës ka vlerësuar se jemi para rastit që nuk përfitohet kontroll për të ushtruar influencë vendimmarrje në veprimtarinë e shoqërisë Tranzit, ndaj transferimi i kuotave nuk është vlerësuar si përqendrim.

Miratimi tjetër, edhe më i rëndësishëm, që i duhet Andi Balltës për t’u bërë pronar i ABI Bank, është ai i Bankës së Shqipërisë. Burime nga Banka Qendrore bëjnë të ditur se palët kanë paraqitur kërkesë për ndryshimin e strukturës aksionere, por, sipas marrëveshjes së paraqitur, kuotat që do të përfitojë Andi Ballta në Tranzit nuk janë 90%, por në një masë më të ulët. Sidoqoftë, edhe sipas marrëveshjes së paraqitur për miratim në Bankën e Shqipërisë, sërish Andi Ballta do të bëhet aksioner shumice në ABI Bank. Burimet bëjnë të ditur se vendimi për miratimin e transaksionit do të merret nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vitin e ardhshëm.

Banka Amerikane e Investime nisi aktivitetin në vitin 2015, kur NCH Capital, nëpërmjet Tranzit, bleu filialin shqiptarë të grupit francez Credit Agricole. Fakti i veçantë në këtë transaksion ishte që Credit Agricole Albania u shit me çmim negativ 10 milionë euro, ose e thënë ndryshe blerësi mori para nga shitësi për të marrë nën kontroll bankën. Ky çmim u përfitua përmes transferimit të një pakete borxhi të varur që grupi Credit Agricole i pati dhënë filialit të vet shqiptar, për të mbuluar humbjet e njëpasnjëshme në vitet e fundit të aktivitetit. Në këmbim të transferimit të aksioneve, Credit Agricole hoqi dorë nga ky borxh dhe ia kaloi të drejtat mbi të aksionerit të ri, Tranzit.

Në vitin 2018, ABI bank u zgjerua më tej, duke blerë edhe filialin e NBG Bank në Shqipëri. ABI tentoi të blinte edhe Tirana Bank, çka do ta bënte bankën e katërt më të madhe në vend dhe njëkohësisht bankë me rëndësi sistemike, por gara e hapur nga Grupi i Pireut u fitua nga grupi shqiptar Balfin.

Në fund të shtatorit 2020, ABI Bank ishte banka e gjashtë më e madhe në Shqipëri me 5.5% të tregut, për një total aktivesh prej 86.1 miliardë lekësh. Rezultati financiar i bankës për 9-mujorin 2020 ishte pozitiv për 798 milionë lekë ose 6.5 milionë euro, ndërsa kthimi nga kapitali, mesatarizuar me bazë vjetore, ishte 11.3%.