Vetëm pak ditë pas shpalljes të fituesit për procedurën e prokurimit që ka në objekt lidhjen e autostradës Fier-Vlorë me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, çështja ka përfunduar në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP).

Bëhet fjalë për ankesën e një subjekti ndaj Autoritetit Rrugor Shqiptar. Sipas dokumentit ankimuesi është kompania Shkëlqimi 07 i cili referuar edhe shpalljes së bërë nga ARRSH ka qenë pjesëmarrësi me ofertën më të ulët ë procedurë.

Ky i fundit ka dhënë një ofertë prej 140 milionë lekësh ndërkohë që fondi limit i procedurës ishte 267 milionë lekë.

Në total në procedurë kanë marrë pjesë 15 operatorë dhe fituese ka rezultuar oferta e Fusha me një ofertë prej 209 milionë lekë.

Ankimimi i bërë në KPP nga ana e operatorit ankimues ka ardhur pas përgjigjes së dhënë nga ARRSH ku oferta e tij prej 140 milionë lekësh cilësohet si anomalisht e ulët çka do të thotë se rrezikon të mos përmbushë standardet që kërkohen sipas ARRSH-së. Tashmë mbetet në dorën e Komisionit për të dhënë vendimin nëse procedura do të lejohet të vijojë me nënshkrimin e kontratës apo do të ketë një rishikim dhe kthim të saj.

Projekti për rrugën

Më herët ARRSH në dokumentet shoqëruese të procedurës sqaronte se lidhja e Aeroportit me sistemin rrugor kombëtar merr një rëndësi të madhe për vetë fluksin e udhëtarëve dhe transportit të mallrave të cilët duhet të gjejnë rrugën më të shkurtër dhe më ekonomike për t’u lidhur me akset kombëtare të vendit dhe destinacionet e kërkuara.

“Për të lidhur aksin rrugor Levan –Tepelene me Aeroportin e Vlorës si varianti më i shkurtër dhe më i përshtatshëm është qe te shfrytëzohet rruga ekzistuese e fshatit Akerni në një gjatësi prej rreth 3 km, e cila kalon në një pjesë të saj në zonë rurale dhe përfundon me një nyje në disnivel në aksin rrugor Levan-Tepelene dhe lidhja me këtë aks te realizohet duke shfrytëzuar rampat ekzistuese te kësaj nyje . Ne projekt duhet te parashikohet lidhja e kësaj rruge me Aeroportin dhe me rrugët ekzistuese të zonës (nyje në nivel /disnivel)”, thuhet në dokument.

Në të njëjtën ditë ARRSH ka hapur edhe procedurën për të gjetur mbikëqyrësin e projektit.

Aeroporti i Vlorës shtrihet tek ish-aeroporti ushtarak i Mifolit pranë fshatit Akërni, Novoselë, Vlorë. Vendndodhja për aeroportin e ri gjendet pranë Lagunës së Nartës, Kriporja e Vlorës dhe lumit të Vjosës. Nga ana jugore ajo kufizohet me Lagunën e Nartës rreth 5 km në vijë ajrore peizazh i mbrojtur natyror. Nga ana perëndimore kufizohet me vijën bregdetare rreth 6.4 km larg në vijë ajrore.

Ky Aeroport është i treti në vend me koncesion pas Tiranës dhe Kukësit që janë tashmë funksionalë ndërkohë që një tjetër garë është hapur dy herë për Aeroportin e Sarandës i cili do të funksionojë si aeroport sezonal.