I shoqi ia dogji fotografitë bardh e zi me Fidel Kastron kur mësoi për marrëdhënien e saj me të. Sot ato foto do të vlenin mijëra dollarë, pasi ishin shkrepur nga fotografi personal i Castros, Alberto Korda. Kujtimet e vetme të asaj që Anna Maria Traglia e quan “një histori e madhe dashurie” janë një unazë hekuri dhe një medalje që Fidel ia dhuroi. Ajo i ruan me fanatizëm në një kasafortë në një bankë në qendër të Romës, qyteti në të cilin ka vite që jeton pas kthimit nga Havana.

Në Itali, ajo mbërriti atje për herë të parë në 1975. Në Itali ato ishin vite të shënuara nga terrorizmi, në Kubë Castro kishte 15 vjet që qeveriste, ndërsa në SHBA Bill Gates kishte themeluar Microsoft, në ishull ndalohej eksporti i produkteve, teknologjisë dhe shërbimeve amerikane. Ishte pothuajse e pamundur të zbarkoje në Kubë, megjithatë Anna Maria, me origjinë austro-hungareze, katolike e bindur, mbesë e Kardinalit Vikar të Romës, arrin e shoqëruar nga tezja e Fidel Castros, Margarita Alcalde. Ato ishin takuar në kryeqytetin italian disa vjet më parë në rrethana fatkeqe. Anna Maria ishte e martuar me dy fëmijë të cilët i shoqëronte çdo javë në një palestër xhudoje, ku një ditë shfaqet një zonjë me një djalë të vogël. Ata e kishin të vështirë të komunikonin me pronarin e palestrës që nuk kuptonte asnjë fjalë në spanjisht. Anna Maria e njihte mirë këtë gjuhë falë punës së saj në Amnesty Internacional, për të cilën kryente misione humanitare në Haiti, Senegal dhe Çad. Ajo ishte mjeke e vlerësuar nga të gjithë.

Përveç diplomës në mjekësi, kishte edhe një tjetër në letërsi dhe filozofi antike. Alcalde mbetet e magjepsur nga kultura dhe sjellja e Anna Marias: të dyja krijojnë një miqësi shumë të fortë deri në pikën kur Ana Maria ftohet në Havana për të takuar Kastron. Takimi u zhvillua në 20 maj 1975. Fidel Kastro priste të takonte një mikeshë të së njëjtës moshë me tezen e tij, pra njëzet vjet më të madhe se ai. Por ai i përball me sytë e bukur të gjelbër të 27-vjeçares Anna Maria. Ai vetë ishte 48 vjeç. Magjepset aq shumë pas saj, saqë e quan “Pranvera e Botiçelit”. Trëndafilat e sjellë në nderim të liderit suprem përfundojnë në duart e Ana Marias.

Historia e dashurisë përshkruhet me shumë hollësi në librin e Paola Sorge “Fideli i dashuruar”, botuar nga Castelvecchi. Megjithëse Anna Maria, e ulur në divanin e saj rozë të zbehtë, dëshiron të theksojë se nuk ishte dashuri me shikim të parë, përkundrazi. “Nuk ishte qëllimi im të bëja kompromis me të nga pikëpamja erotike. Imagjinoni që pas tre muajsh që po dilnim ai u shfaq në derën time një natë dhe kur e hapa, ai mu hodh sipër duke më thënë: “Nëse të pres ty, do të kalojnë 10 mijë vjet”. Çfarë ndodhi në ato mbrëmje në Havana, midis atentateve që pasuan njëri-tjetrin çdo gjashtë orë (përfshirë atë në të cilën Anna Maria vetë u shpëtua nga fati, tensioni i lartë me Shtetet e Bashkuara, problemet e lidhura me embargon, varfëria ekstreme e popullit kuban, afrimet e para me Rusinë, Lufta e Ftohtë. Anna Maria i përjetoi të gjitha këto, duke kaluar nëpër fjalimet që Fidel ia lexonte në dhomat sekrete në Havana, konsideratat personale pas takimeve zyrtare me udhëheqësit e ndryshëm, frikën dhe pasionet që zbuloheshin kur ai ia hapte zemrën.

Por ka një faqe në këtë histori që e bën Anna Marian veçanërisht krenare: ajo që lidhet me përpjekjen e konvertimit të Kastros. Dhe ajo e tregon këtë duke e theksuar fort: Kastro nuk ishte komunist dhe ata që mendojnë kështu, gabojnë. Fidel ishte një i krishterë ortodoks dhe ishte arsimuar nga jezuitët. Ajo, mbesë e vikarit kardinal të Romës, kalon nga shqetësimi i mjedisit romak në lajmin e njohjes së saj me “diktatorin pranë sovjetikëve” në takimet e fshehta në Vatikan, ku ndërmjetësimit të saj i kërkohet të inkurajojë afrimin e Kastros me Kishën. “I thashë atij: Të lutem, plotësoja dëshirën Vatikanit, hap një kishë në Kubë, një ditë mund të të duhet”. Këmbëngulja e Anna Marias bëhet e tillë që Fidel ia shkurton emrin në Ave Maria.

Lidhja mes të dyve nuk ndërpritet deri në momentin kur djali i madh, Daniele, sëmuret me kancer në moshën shtatë vjeçare. Ajo kthehet në Itali për ta çuar në Zvicër për operacion dhe si një katolike e zjarrtë, bën një zotim: “Nëse djali im shpëton, unë nuk do të shkoj më në Kubë”. Tumori rezulton beninj, por largimi i saj nga Fideli nuk do të zgjaste më shumë se tre muaj. “Ishte periudha në të cilën qëndrova larg tij më shumë se herët e tjera. Fidel krijoi një linjë telefonike të koduar vetëm për ne të dy, por sa më shumë që dëgjoheshim, aq më shumë rritej dëshira për të qenë së bashku. Kështu që thashë me vete “E di që do të shkoj në ferr, por duhet të kthehem tek ai”.

Takimi i fundit ishte në vitin 2006, kur Kastro u shtrua në spital për kancer të zorrës së trashë. Ajo vrapoi pranë shtratit të tij dhe atje ai i dha unazën prej hekuri që ajo e ruan me fanatizëm edhe sot. Mbi të shkruhet: Hasta la muerte! / Corriere della Sera