Në mesazhin tradicional ditën e Krishtlindjeve, Papa Françesku e vuri theksin mbi nevojën për vëllazëri në mbarë kontinentet në këtë periudhë pandemie.

“Në këtë moment historik, shënuar nga kriza ekologjike dhe nga çekuilibrimet e rënda ekonomike dhe sociale të rënduara nga pandemia e koronavirusit, ne kemi nevojë më shumë se kurrë për vëllazëri”, deklaroi papa Françesku.

Ai bëri thirrje për një vëllazëri konkrete, duke shkuar përtej familjes, etnisë, fesë, gjuhës apo kulturës.

“Dhe kjo është gjithashtu e vërtetë në marrëdhëniet midis popujve dhe kombeve”, nënvizoi papa Françesku.

Vaksina falas për të gjithë

Përtej fjalëve tradicionale mbi dashurinë për Zotin dhe njëri-tjetrin, Bergoglio bëri edhe një thirrje për mbizotërim të kolektivit mbi individin, sidomos në këtë vit të dominuar nga pandemia e koronavirusit.

“Sot, në këtë kohë errësire e pasigurish për shkak të pandemisë, na shfaqen disa drita, si zbulimi i vaksinave. Por, që këto drita të mund të ndriçojnë e t’i japin shpresë gjithë botës, duhet të jenë në dispozicion të të gjithëve”, tha Papa.

“Nuk mund të lejojmë që nacionalizmat e mbyllur të na pengojnë të jetojmë si familje e vërtetë njerëzore, siç jemi. As nuk mund të lejojmë që virusi i individualizmit radikal të na mposhtë e të na bëjë indiferentë ndaj vuajtjes së të tjerëve. Iu lutem të gjithëve të promovojnë bashkëpunimin dhe jo konkurrencën, e të gjejnë një zgjidhje për të gjithë. Iu lutem të gjitha qeverive dhe sipërmarrjeve të vënë në dispozicion vaksinat falas për të gjithë, sidomos për më të vuajturit në planet. Ata në vend të parë”.

Fëmijët e Sirisë, Irakut dhe Jemenit

“Fytyrat e fëmijëve të Sirisë, Irakut apo Jemenit, të cilët po paguajnë një çmim të lartë për luftën duhet të tronditin ndërgjegjen e njerëzve”, theksoi papa Françesku në mesazhin e tij të Krishtlindjes.

Në pasqyrën e tij tradicionale të konflikteve të planetit, ndjekur nga bekimi “Urbi et Orbi” (për qytetin dhe për botën), Papa në veçanti shprehu shpresën që Krishtlindja të jetë e  favorshme për zbutjen e tensioneve në në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Mesdheun Lindor.

“Mendimet e mia janë shkojnë për familjet që sot nuk mund të bashkohen, si dhe ata që janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi”, theksoi ai në fund të mesazhit të tij.

“Le të jetë Krishtlindja një mundësi për të gjithë për të rizbuluar familjen si djep i jetës dhe besimit, një vend i dashurisë mikpritëse, dialogut, faljes, solidaritetit vëllazëror dhe gëzimit të përbashkët, burim i paqes për të gjithë njerëzimin”, shtoi ai përpara se të uronte një “Krishtlindje të mbarë për të gjithë”.