Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në burg ish-gjyqtaren e Krujës, Enkeleda Hoxha, pasi kërkesa për zbutjen e masës së sigurisë është refuzuar sërish, për të katërtën herë.

Kjo kërkesë për ndryshim të masës së sigurisë ishte bërë nga avokati mbrojtës i Hoxhës, pasi ajo ishte shprehur se kishte fëmijën me probleme shëndetësore.

Gjyqtarja ishte pjesë e një grupi personash të arrestuar nën akuzën “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Sipas Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion që drejtoi hetimin, kemi të bëjmë me një skemë të mirëfilltë kriminale, sipas së cilës të dënuarit në burgun e Fushë-Krujës përfitonin ulje dënimi duke dhënë sasi parash nga 6-12 mijë euro.

KLP shkarkon nga detyra prokurorin e Krujës, Bujar Memia

Me 10 vota pro dhe 1 kundër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shkarkuar këtë të mërkurë nga detyra prokurorin e Krujës, Bujar Memia.

Kërkesa për shkarkimin e tij ishte bërë nga Inpektorati i Lartë i Drejtësisë, për shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës.

Hetimi ndaj prokurorit nisi pas dyshimeve për favorizim për lirimin nga burgu të të dënuarit Hekuran Billa, i ekzekutuar në atentat në Qershor të vitit të shkuar.