Nga Viktor Malaj

 

Mbrojtja e veprimeve të liga përbën një ligësi më vete. Të gjithë ata që
veprojnë kështu duhet të dinë se duke mbrojtur të keqen bëheni vetë
pjesë e saj dhe ndihmoni që e keqja të rritet e përhapet” – Ruchir Gupta*

 

E përkthyer në shqip fjala asset do të thotë, kryesisht, pasuri, vlerë, cilësi ose gjë e dëshirueshme. Tek ne është bërë e modës që fjalë të huaja të përdoren vend e pa vend prej njerëzve, qofshin ata profesorë universitetesh apo barinj. Njëra prej tyre është edhe fjala aset. Është e pamundur të shfletosh një gazetë dhe të mos e gjesh këtë fjalë në shkrime apo përshkrime mbi çështje nga më të ndryshmet. Unë do të ndalem në tre prej rasteve të përdorimit të kësaj fjale dhe sa përputhen me kuptimin real të saj.

1. “Modelja e instagramit… nxori në pah asetet e saj ndërsa ndodhej në plazh në Florida. Nuk i lë vend imagjinatës… E bukur dhe e pasur, e nxehtë dhe e papërballueshme… Para pak ditësh ajo pohoi se po kalonte ditë të lumtura me të dashurin e saj të nëntë…”. Kjo pjesë është shkëputur nga shkrimet e njërës prej gazetave kryesore të përditëshme që botohen në Tiranë.

Etja për para dhe pasuri nuk njeh asnjë skrupull moral. Qëllimi justifikon mjetet. Sa më shumë “horllik”, siç thonë tiransit, aq më shumë klikime apo shitje. Sa më shumë klikime e shitje, aq më shumë reklama dhe fitime. Gazetat i shohin dhe lexojnë njerëz të të gjitha moshave, por ndikimi që ato kanë tek kategori të ndryshme shoqërore është i ndryshëm. Viktimat më të mundshme dhe më të shpeshta të këtyre “informacioneve”, përshkrimeve bajate dhe të shtrembëruara mbetet brezi i ri, sidomos adoleshentët.

Mesazhi që përcjellin përshkrime të tilla të qindra vajzave kokëboshe, mendjelehta dhe të paskrupullta të botës, por edhe të Shqipërisë, është: s’keni nevojë të vrisni mendjen për t’u shkolluar e kulturuar dhe as të stërmundoni trupin në punë të lodhshme. Mbushini gjoksin, shalët dhe të ndenjurat me silikon dhe zhvishuni sa më shumë, mundësisht lakuriq, dhe do të shihni sa shpejt dhe lehtë do të siguroni një jetesë luksoze. Dhe jo vetëm një jetesë luksoze, por edhe do të bëheni të famshme dhe të tërhiqni admirimin e miliona njërëzve (kupohet, po aq të pamend e të pakarakter sa ato vetë).

Pas gjithë këtij vulgariteti mendje-shtrembërues dhe moralkalbëzues, lind pyetja: cilat ishin asetet e zotëruara nga X modele dhe çfarë i shërbejnë ato shoqërisë njerëzore? “Asetet” ishin format fizike, më së shumti artificiale, që modelja i shfaq nëpërmjet lakuriqësisë, të cilat, edhe kur janë natyrale, i shërbejnë vetëm asaj dhe askujt tjetër.

Lavdërimi glorifikues, lartësimi i kotësisë, vulgaritetit, lakuriqësisë, mëndjelehtësisë dhe, jo rrallë, imoralitetit përbën një nga karakteristikat e kohës dhe të sistemit, ku komercializmi dhe etja për fitime i udhëheqin të rinjt dhe të rejat në rrugë pa krye, fundi i të cilave është, më së shumti, tragjik dhe i dhimbshëm. Apoteoza e lakuriqësisë dhe e pafytyrësisë mbetet njëri nga mjetet e mbushjes së xhepave pa kurrfarë kontributi për shoqërinë.

2. “Zoti Berisha ka qenë dhe mbetet një vlerë dhe një aset i Partisë Demokratike. Përvoja e tij është e jashtëzakonshme dhe është vënë gjithmonë në shërbim të demokracisë dhe të interesit të shqiptarëve”.

Ky është vlerësimi që “politikani perëndimor” Lulzim Basha ka për njeriun politik të cilin, për shkak të sjelljes së tij vulgare, anadollake dhe kriminale, shumica e shqiptarëve e konsiderojnë, me të drejtë, si një bandit dhe regjimet e drejtuara prej tij bota perëndimore i cilësonte “regjim gangsterësh”, ndërsa personalitetin e tij kur drejtonte opozitën e etiketonte si “një ordiner i rrezikshëm”.

Nuk do shumë mend për të kuptuar se togfjalëshi “ordiner i rrezikshëm” do të thotë kriminel që duhet burgosur për shkak të rrezikshmërisë që paraqet për shoqërinë. Mirëpo “shpëtimtari” ynë Lulzim Basha, duke pasur të njëjtin formim dhe moral si idhulli i tij politik, përpiqet të na e shesë ordinerin e rrezikshëm, Sali Berishën, si një pasuri kombëtare e cila duhet ruajtur më shumë, më gjatë dhe më mirë se thesari i shtetit në Krrabë kur “një katundar me mushkë” na vodhi gjithë arin që kishim dhe askush tjetër, deri tek Kryeministri Ilir Meta, nuk mbajtën asnjë përgjegjësi.

Rroftë krimi! Lavdi kriminelëve! Zoti e ka bekue Shqipërinë dhe apoteozën e krimit.

3. Ditët e fundit, në të njëjtën kohë, u arrestuan një gjyqtare e Krujës dhe një mjek kardiokirurg në Tiranë. Bashkë me ta u arrestuan edhe disa të tjerë, por vëmendja u përqëndrua tek dy personazhet, njëra simbol i “drejtësisë” dhe tjetri simbol i mjekësisë. Të dy u akuzuan dhe arrestuan, kryesisht, për korrupsion, por edhe për vepra të tjera penale.

Trajtimi i kësaj teme ka aspektin juridik dhe moral. Nga pikëpamja juridike, derisa të dënohen nga gjykatat me vendim të formës së prerë, gjyqtarja dhe mjeku duhen konsideruar të pafajshëm.

Sektorët e drejtësisë dhe të mjekësisë, dhe mënyra si kanë funksionuar ata prej tri dekadash, janë ndër shkaqet kryesore të dëshpërimit, pakënaqësisë dhe prirjes për ta lënë vendin një numër alarmant shqiptarësh. Korrupsioni është i shtrirë në të gjitha veprimtaritë shtetërore e private dhe, pavarësisht, përrallave që na tregojnë politikanët apo ndonjë gazetar opinionformues, kjo gjë dëshmon faktin se sa thellë dhe gjerë është kalbëzuar shoqëria shqiptare.

Kalbëzimi moral i shoqërisë tonë shfaqet në dy forma. Në pafytyrësinë kriminale për të dhënë vendime gjyqësore mbi bazën e madhësisë së zarfit me para që ofrohet, apo dhënien e shërbimeve më të rëndësishme mjekësore duke i shtrënguar “me marifet” nevojtarët për të “votuar” përpara se të shtrihen në tryezata e vizitave mjekësore apo të operacioneve kirugjikale.

Forma tjetër, shprehet në gatishmërinë e shumë prej nesh për t’i justifikuar autorët e veprimeve të tilla. Janë të dy format që bëjnë të tërën, kalbëzimin moral të shoqërisë.

Gjyqtarja e arrestuar njihej prej kohësh si shpërdoruese e detyrës me gatishmërinë e saj kriminale për të liruar nga burgjet individë me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Avokati i saj pohoi se gjyqtaren “e kanë etiketuar si armike e popullit”. Jo vetëm gjyqtarja Hoxha, por edhe dhjetëra prokurorë e gjyqtarë të tjerë, disa të përjashtuar nga

Vetingu dhe të tjerë ende pjesë e sistemit, të cilët kanë dhënë vendime qartazi të paligjshëm e kriminalë apo kanë liruar nga burgjet elementë me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, janë dhe meritojnë të quhen “armiq të popullit”. Si nuk qenkan armiq të popullit ata që u marrin pronat të zotëve dhe ua japin gangsterëve dhe kriminelëve grabitës?!

Si nuk qenkan armiq të popullit ata gjyqtarë që, me marifete pseudoligjore, shpallin të pafajshëm vrasës, grabitës e përdhunues apo lirojnë të tillë nga burgjet, duke iu dhënë mundësinë që të njëjtat vepra kriminale t’i kryejnë sërish mbi njerëzit e pafajshëm dhe të ndihen të paprekshëm e guximtarë në dhunimin e qytetarit shqiptar?!

Të gjithë e dimë dhe, thuajse, të gjithëve na ka ndodhur që, për të marrë një shërbim të rëndësishëm mjekësor, duhet të kalojmë nëpër “paradhomën” e sekserëve ndihmës të mjekut “human”. Duke qenë shërbimi më i rëndësishëm jetik dhe duke qenë se “ryshfeti” është bërë modë, njerëzit përgatiten për “ditën e keqe” dhe e quajnë këtë “përgatitje” si diçka normale. Kur vesi merr statusin e qytetarisë në një shoqëri të kalbur moralisht, atëherë fillon e zbehet ndryshimi i tij me virtytin dhe ushtruesit e vesit nuk ndiejnë brejtje të ndërgjegjes, ndërsa viktimat e veseve të tjetrit e pranojnë atë si një “fatkeqësi” që vjen nga fati që përcaktohet lart, në qiell.

Nga pikëpamja juridike, mjeku E. Prifti mund të jetë edhe i pafajshëm, por gatishmëria e disa zërave mediatikë për t’i bërë mbrojtjen me gjithfarë pretekstesh alogjike dhe të pamoralshme është aq e papranueshme sa është çdo prirje për ta shpallur atë “rrezik kombëtar dhe kriminel”. Në këtë mes, të bëjnë përshtypje të njëjtë sa qëndrimet e vetë mjekut, aq edhe interpretimet e gazetarëve L. Vangjeli dhe E. Xhafo.

Vetë mjeku, pasi numëronte arritjet e tij studentore dhe profesionale, të cilat mund të jenë reale, pohonte se: “Paratë i kam të ligjshme. Me to do të blija një pronë tjetër me kesh (cash)… Lekët ishin të bashkëshortes… Kam kontribuar për vendin tim pasi i gjeta qytetarët shqiptarë duke mbushur charter-at për t’u operuar në Turqi… Pikëpamjet e mija janë demokratike, të djathta liberale, në funksion të popullit, republikës”.

Nga kjo deklaratë lindin disa pyetje të sferës juridike dhe shoqërore: Përse duhet që një qytetar shqiptar, qoftë ai edhe akademik a kryetar akademie, të bëjë shitblerje pronash me para në dorë dhe jo nëpërmjet bankës, siç e kërkon ligji? A janë shitblerjet me para në dorë një rrugë për t’iu shmangur pagimit të taksave? Po paratë e fituara nga leksionet apo çmimet ndërkombëtare i janë kaluar përfituesit nëpërmjet transaksioneve bankare, apo i janë dhënë në zarf nga organizatorët?

A kërkon ligji që paratë e fituara në këtë rrugë apo nga “dhuratat” të deklarohen dhe për to të paguhet taksë? Në fund të fundit, cili është shkaku që një shtetas shqiptar me aq mend e dije të mbajë në shtëpi qindra miliona lekë, duke rrezikuar kështu jetët e familjes nga grabitës të mundshëm? Çfarë hyjnë këtu pikëpamjet politike të individit kur gjykatës i interesojnë faktet dhe rregullsia e tyre kur ballafaqohen me ligjin?

Deri kur do të vazhdojmë ne që ngjyrimet apo përkatësitë politike t’i përdorim si alibi apo koracë mbrojtëse për veprimet tona të mbrapshta, të pamoralshme dhe të paligjshme?! Më tej, prirja për ta paraqitur veten si “shpëtimtar” të shqiptarëve, sikur nuk ka asnjë kardiokirurg tjetër Shqipëria, është e tepërt dhe shënjë fodullëku e arrogance ndaj kolegëve dhe sistemit mjekësor në tërësi.

Formimin shoqëror dhe moral të mjekut në fjalë e vë në dyshim edhe një shkrim i tij, i botuar para dy viteve, me të cilin merrte në mbrojtje një kolegun e tij të akuzuar për korrupsion dhe shprehej se “Ky mjek u pezullua nga detyra… në emër të një populizmi rrënqethës e absurd. T’i bëjmë qejfin popullit! duke linçuar dikë apo disa… Nuk burgosen doktorët o të mjerë!”.

Meqënëse ai, dhe jo pak të tjerë, mendojnë apo shprehen ashtu, më duhet të them se: të gjithë, duke përfshirë mjekët, politikanët, biznesmenët, gazetarët etj. mund të burgosen kur u provohet nga gjykata se kanë shkelur ligjet e shtetit, o të mjerë! Përndryshe, ndarja e shoqërisë në kategori shoqërore të paprekshme nga ligji, dhe “të tjerët” që mund të akuzohen e burgosen pa ngurrim e bën shoqërinë vetvetiu të padrejtë dhe të pamoralshme dhe sistemin politik një sistem kriminal.

Në mbrojtjen e padenjë që u përpoqën t’i bëjnë mjekut të akuzuar një pjesë e medias, vihet re qartësisht prirja për ta ndarë shoqërinë në “të paprekshëm nga ligji” dhe në “në të tjerë”. Gazetari E. Xhafo, thotë: “I kërkojnë E. Priftit dhe të ngjashmëve të tij të rrojnë me 700 mijë lekë të vjetra… Prifti, vitin e fundit, nuk u rreshtua me linjën zyrtare për masat anti-covid…”.

Sipas kësaj logjike dhe moralit që shfaqet në këta rreshta, shoqëria dhe shteti shqiptar duhet t’i kategorizojë njerëzit sipas të ardhurave, dhe të gjithë atyre që nuk mund të jetojnë me rrogat që marrin, iu lejohet korrupsioni, vjedhja, shpërdorimi i detyrës etj. Po çfarë të bëjmë atëherë me punëtorët e keqpaguar, të papunët që “rrojnë” me 50 mijë lekë të vjetra ndihmë sociale apo me zyrtarët e shtetit që paguhen edhe më pak se mjekët? Cili është ai shqiptar që nuk ankohet për të ardhurat dhe që s’do të kishte nevojë për rrogë më të madhe?!

Jetojmë në Shqipëri, o të mjerë! Të jetosh në Shqipëri dhe të pretendosh një jetesë prej milioneri do të thotë se je ose i marrë, ose i lig.

A duhet të kenë mjekët të ardhura më të mëdha se punëtorët dhe disa zanate të tjerë? Po. Duhet t’i kenë dhe, realisht, i kanë. Nëse s’iu mjaftojnë le të hapin klinika private, por jo të na sorollatin dhe të na marrin edhe qindarkën nga xhepi për shërbime që i kryejnë në klinikat e ndërtuara me paratë tona dhe duke u paguar nga taksat tona.

Gazetari Xhafo shkon më tutje duke pretenduar se mjeku qenka burgosur sepse nuk ka qenë dakord me linjën zyrtare kundër Covid- 19. Kjo është e tepërt dhe turpëron gazetarin dhe vetë mjekun. Kundër linjës zyrtare kanë qenë me mijëra opozitarë dhe gallofë të konspiracioneve që dalin thuajse çdo ditë në media duke mallkuar, mashtruar e shpifur, madje këtu bëjnë pjesë edhe politikanë të lartë që luftojnë drejtpërsëdrejti për pushtet, mirëpo askush s’i ka akuzuar dhe burgosur deri tani.

Çfarë rreziku paraqet për pushtetin një mjek si Prifti dhe çfarë përfitimesh do të kishte cilido pushtet për ta burgosur një zë midis mijëra zërave? E çuditëshme është se si edhe një gazetar dinjitoz si L. Vangjeli bie në grackën e emocioneve dhe, ndoshta pa dashje, bëhet avokat i të keqes. Në shkrimin e tij, ndër të tjera, ai pohon:

“Qëndrimet ndaj Edvin Priftit vijnë nga dëshira për të hedhur gurë e drunj mbi të… I ri, i pasur, i talentuar, ai ka gjithçka që do të mjaftonte për t’ia bërë krokodil xhelozinë vetiake. Ai është justifikim dhe shpërblim i fortë i çdo të dështuari… Gjetja e parave… mjaftoi që të nisë kryqëzata… Ai është njëri nga kardiokirurgët më të mirë në vend… Nëse s’e ka kushtëzuar shërbimin e tij në këmbim të parave… atëherë ai do të vazhdojë të jetë i pafajshëm dhe fajtorë janë të gjithë gjykatësit popullorë që e gozhduan atë… Ky është rasti tipik që dëshmon thellësinë e mentalietit sovjetik… që dikton se intelektuali është shërbëtor i masës dhe jo shërbenjës i shoqërisë… Është individi që ka nevojë për mjekun dhe mjekut individi i dertyrohet me mirënjohje… Mbasi të mbarojë histeria publike e linçimit të aseteve tona publike, gurëhedhësit duhet të lajnë duart”.

Sipas gjykimit dhe vlerësimeve të Vangjelit, cilido shqiptar që ndodh të jetë “i ri, i talentuar, i pasur” mund të shpërdorojë detyrën apo të kryejë vepra korruptive dhe është i justifikuar, moralisht dhe ligjërisht. Madje, më poshtë, Vangjeli e justifikon hapur korrupsionin në mjekësi kur pohon se “individi ka nevojë për mjekun dhe mjekut individi i detyrohet për mirënjohje”. Pikësëpari, duhet të jemi të saktë në kuptimin gjuhësor të fjalës. Mirënjohja është ndjenjë nuk është para.

Në mënyrën si shprehet z. Vangjeli, dhënia e mitës (korrupsioni) ligjërohet dhe kthehet në “detyrim” për individin shqiptar. Gazetari në fjalë dhe të gjithë ne të tjerët duhet të mos harrojmë se individi ka nevojë për të gjitha llojet e shërbimeve që shoqëria ka ngritur e organizuar dhe se, për shërbimet që i ofrohen individit nga strukturat shtetërore, “shërbyesi” paguhet një herë nga “i shërbyeri” nëpërmjet buxhetit të shtetit që ësthë xhepi i përbashkët i shoqërisë. Nëse shkojmë me mendimin e shfaqur si më sipër, nuk duhen kritikuar as politikanët hajdutë, apo të dyshuar si të tillë, dhe askush tjetër që mban dhe shfrytëzon poste shtetërore për përfitime vetjake sepse kjo do të quhej “linçim”.

Në kuadrin e referimit ndaj sistemit politik të kaluar për çdo mbrapshti të sotme, Vangjeli e konsideron “mentalitet sovjetik” dënimin moral ndaj abuzuesve, por nuk na thotë se cili do të ishte ndryshimi semantik (kuptimor) midis togfjalëshave “shërbëtor i masës” dhe “shërbenjës i shoqërisë”!. Rasti i apologjisë që bën Vangjeli nuk ka shumë rëndësi lidhur me mjekun Prifti. E keqja e saj qëndron në faktin se ai na fton ta pranojmë si diçka normale korrupsionin në mjekësi meqë “kemi nevojë për mjekun” dhe na fton ta ndajmë shoqërinë në kategori personash që iu lejohet korrupsioni dhe në të tjerë që s’duhet të bëjnë as gëk e as mëk.

Nuk kam asnjë dyshim se në vendin tonë ka me qindra individë që meritojnë të jenë në burg përpara mjekut E. Prifti dhe këta individë janë me shumicë në politikën e të gjithë krahëve, në sistemin e drejtësisë, në fushën e biznesit dhe në rrugë.

Ne nuk duhet as ta kryqëzojmë z. E. Prifti dhe as ta shpallim fajtor, por nuk duhet, kurrësesi, të përpiqemi të gjejmë pretekste për ta marrë në mbrojtje nëse rezulton ligjshkelës dhe, çfarë është më e rëndësishmja, nuk duhet t’ia lejojmë vetes ndarjen e shoqërisë në kategori shoqërore që qëndrojnë mbi ligjet dhe iu lejohet gjithçka dhe në të tjerë të cilëve ligji apo ligjzbatuesit ua shkatërrojnë jetën edhe për cenimin më të vogël që bëjnë në dëm të individëve apo shoqërisë. Pretekstet se qytetarët ua japin “me dëshirë” ryshfetin mjekëve, gjyqtarëve apo zyrtarëve të shtetit sepse “iu kryejnë punë” janë praktikisht të pavërteta, moralisht të papranueshme dhe shoqërisht të rrezikshme.

Një shoqëri që shpall “asete” lakuriqësinë, politikanët kriminelë apo zyrtarët ligjshkelës është një shoqëri në kalbëzim dhe ka nevojë për t’u shëruar.

* Ruchir Gupta – Mjek dhe autor librash në SHBA.

Botuar në DITA