Nga cikli “Shqipëria e Harrume”

Nga Auron Tare

Në Leskovik qëndrova një natë për të parë se ç’trashëgimi kulturore ruan ende kjo qytezë. Tani është pothuaj i braktisur por dikur Leskoviku njihej si qyteti me 7 pashallarë. Secili kishte ngritur sarajet e veta të rrethuara me vreshta dhe trëndafila. Njerëz që kishin bërë histori në hapësirat e pamata të Perandorisë ishin kthyer në vendlindjen e tyre në buzëmbrëmjen e jetës si për të gjetur qetësinë midis atyre maleve me bukuri të rrallë.

Pyeta se ku mund t’i gjeja varret e këtyre pashallarëve. Disa banorë më thanë se pllakat e varreve jua kishin marrë diku pas 90-ës dhe i kishin shitur në Greqi. E trishtë por e vërtetë. Një kapitull që nuk duhet harruar post-90-ta. Një popull që vjedh pllakat e varreve të të parëve të tyre dhe i shet për pak bukë, nuk mund të ruajë historinë e vet.

E ndërkohë që pashallarët e Leskovikut janë tretur dhe nuk dimë shumë për ta, në këtë shkrim po sjell një figurë tjetër të harruar, apo të themi shumë pak të njohur në rrethet e historianëve: Abdurrahman Abdi Arnaut Pasha.

Abdurrahman Abdi Arnaut Pasha. Vezir i Perandorisë. Gravurë e kohës. Muzeu Kombëtar Hungarez

Më gradë Vezir, ne një moshë të thyer u dërgua të mbrojë kryeqendrën e territoreve të pushtuara otomane në zemër të Europës, qytetin e Budë, që prej 150 vjetësh në zotërimet otomane. Në verën e 1686, Arnaut Pasha u përball me furinë e ushtrisë së Lidhjes së Shenjtë, një formacion i krishterë në modelin e Kryqëzatave të dikurshme. I frymëzuar dhe bekuar nga Papa Inocenti i XI, kjo Lidhje e Shenjtë udhëhiqej nga Mbreti i Polonisë, Republika e Venedikut dhe Perandori austriak Leopold I. Abdi Arnauti iu bëri ballë këtyre forcave ushtarake europiane dhe e mbrojti qytetin me shumë sukses. Kjo përballje solli një përballje të re vetëm një vit më vonë dhe, siç thamë më lart, në verën e vitit 1686 filloi beteja me e famshme e Lidhjes me otomanët për marrjen e Budës. Ushtria e Lidhjes së Shenjtë kishte në përbërje të saj gati të gjitha nacionalitetet europiane, përfshirë edhe ushtarë suedezë dhe skocezë.

Pas disa muajsh betejash të gjata në muret e Budës, ushtarët e Kryqëzatës mundën të thyejnë mbrojtjen. Arnaut Pasha, ashtu si një kapiten anijeje që nuk e braktis anijen e tij në mbytje, udhëhoqi sulmin final jashtë mureve, një sulm ky që i solli atij jo vetëm lavdinë si kryekomandant, por edhe respektin e komandantëve europianë, të cilët dhanë urdhër që vendi ku ra Pashai plak të rrethohej me ushtarë dhe të mos lejohej cenimi i trupit të tij dhe atyre që e ndoqën.

Marrja e Budës dhe vrasja e Abdurrahman Abdi Arnaut Pashes, vepër nga piktori hungarez më famë, Benczúr Gyulaed Panorama

Kaq heroik duhet të ketë qenë ky sulm i pashait Arnaut sa që piktorët hungarezë e përjetësuan atë në disa tablo me temë rënien e Budës.

Por respekti i vlerave europiane për historinë e tyre ka bërë që vendi ku ra dhe u varros Abdurrahman Abdi Pasha Arnauti nga fshati Peqin, jo të vetëm të mos plaçkitej, por të ruhej edhe t’i ndërtohej një varr për t’u nderuar vlerat e rralla të trimërisë dhe mosbraktisjes së detyrës, edhe pse me një grusht burrash që e ndoqën nga pas.

Varri i Arnaut Pashës dhe pasuesve të tij në Budapest.

Sot e kësaj dite, në Budën e krishterë europiane kemi varrin e peqinasit plak të mbrojtur dhe të paprekur, si dëshmi e gjallë se si ruhet trashëgimia historike edhe pse armike.