Një person i dytë është arrestuar nga policia për grabitjen e kambistit të Korçës, ngjarje e ndodhur më 11 Janar 2021 në lagjen Nr.1.

Në pranga ka rënë 33-vjeçari Martin Arëza, person me precedent penal dhe i dënuar më parë për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit dhe falsifikim të dokumenteve.

Ai u kap në Tiranë nga forcat e posaçme Shqiponja duke udhëtuar me një makinë tip “Volkswagen Polo”. Gjatë kontrollit atij iu gjet një dokument policie dhe simbole të tjera të policisë, të cilat i përdorte me qëllim që të shmangte kontrollet dhe prezantohej si polic.

Ndaj 33-vjeçarit Martin Arëza, Gjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë arrest në burg në mungesë pasi ishte shpallur në kërkim si i përfshirë në grabitjen e kambistit për vjedhje me dhunë të kryer në bashkëpunim. Bashkë me të u arrestua edhe një 28-vjeçar i quajtur Adhurim Shega, i cili ishte në të njëjtën makinë. Për këtë të fundit, policia thotë se kishte ndihmuar dhe strehuar grabitësin pas ngjarjes.

Ndërkohë, grabitësi i tretë është identifikuar dhe është në kërkim. Kurse grabitësi i parë u arrestua në flagrancë ditën e grabitjes pasi u përlesh në vendngjarje me kambistin dhe me banorë të tjerë të zonës të cilët ndihmuan për ndalimin e tij deri sa në vendngjarje shkoi policia. Kambistit iu vodhën 4 milionë Lekë të reja nga tre persona të armatosur.