Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët foli edhe investimet në rrjetin e ujësjellësit dhe për furnizimin me 24 orë ujë në ditë.

Kreu i qeverisë theksoi se brenda pranverës së ardhshme do të hapen edhe plot 70 kantiere të tjera, për të garantuar 24 orë furnizimin me ujë.

“Brenda pranverës së ardhshme do të hapen edhe plot 70 kantiere të tjera, për të garantuar 24 orë furnizimin me ujë. Faktikisht vitin e ardhshëm 55 zona të mëdha urbane të vendit dhe në vitin 2022 në mbi 200 zona të populluara rurale të vendit”, tha kreu i qeverisë.

“Në sistemin tonë të ujësjellësve duhet të kemi një pasqyrë shumë të posaçme në raport më botën, por jo aq të posaçme në raport me rajonin.

Vihet re që rrjetet e trashëguara janë rrjete të ndërtuara në vitet ’60, ‘70. Të jemi të qartë as në vitet e komunizmit nuk është garantuar furnizimi me ujë 24 orë për të gjithë popullsinë”, u shpreh ai më tej.

Rama publikoi edhe shuma që është investuar për ujësjellësin gjatë 5 viteve të fundit.

“Ne kemi filluar të prekim një sistem furnizimi me ujë, ku kemi pasur dhe akoma sot ku aty ku vazhdon puna ka depo dhe tubacione të viteve 60, 70.

Investimet që janë kryer për ujin e pijshëm janë gjatë periudhës 2014-2019 janë në total 514 mln euro, nga të cilat 202 mln janë nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër janë financime të huaja.

Sa i përket 2020 vetëm në rrjetin e ujësjellësit janë investuar rreth 44 mln euro nga buxheti i shtetit dhe 30 mln euro nga investimet e huaja”, theksoi ai.