Një atentat me armë zjarri ndodhi rreth mesnatës në kryeqytet, me pasojë plagosjen e një personi.

Të shtënat me armë u dëgjuan rreth orës 23:00 në zonën e quajtur “Lulishtja”, tek “Komuna e Parisit” në Tiranë. Pas konfirmimit të të shtënave, në vendngjarje shkuan forca të shumta policie, që morën informacionin edhe për një 22-vjeçar të plagosur në këmbë.

Burime policore thanë se i dëmtuari është Reidi Balla., i cili është dërguar drejt spitalit me shpejtësi dhe mësohet paraprakisht se ndodhet pa rrezik jete.

Ai është sulmuar në makinën e tij, por mbetet ende i panjohur autori i krimit, që dyshohet se është larguar me shpejtësi nga vendngjarja, teksa ka qëlluar disa herë me armë.

Për momentin atentatori mbetet i paidentifikuar, por dëshmia e të plagosurit do të zbardhë dinamikën, motivet dhe nëse ai e ka njohur agresorin.

Dyshohet se sulmi mund të ketë ardhur pas një grindje të çastit, ose si pasojë e ndonjë konflikti të vjetër.

Po analizohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, që janë të shumta dhe mund të çojnë tek gjetja dhe kapja e autorit.