Befasues dhe deri i pajustifikuar reagimi i kryeministrit Rama në lidhje me një fakt të diskutueshëm mbi të kaluarën e Martin Camajt. Fjala është për të qënët e të ndjerit, albanolog i shquar, me veprimtarinë bazë në Gjermani, një ish-agjent, mbi të gjitha dhe i UDB-së. Kjo e dhënë ka dalë së fundi nga disa materiale arkivore siguruar nga Auron Tare, nga zelli i tij kërkimor në arkiva të huaja, gjë që provokoi debat e reagime të ashpra disa javë më parë.

Krahas Camajt, të dhëna të ngjashme kompromentuese u publikuan dhe për Koliqin. Reagimi më madh qe nga figura të komunitetit katolik, pasi panë te dokumentat e Tares një sulm të qëllimshëm ndaj tyre, edhe pse ky i fundit as nuk është njohur e as nuk është shquar për ndonjë gricje me sfond fetaro-kulturor me shënjestër katolikët. Aq më tepër duke e patur mik, edhe kauzash kulturore, Artan Shkrelin me theks të fortë katolik në rol publik.

Rama sigurisht që nuk qe pjesë e debatit. Por hyri së fundi në të, më saktë të premten, kur qe i pranishëm në një konferencë të organizuar nga Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit.

Aty, ai jo thjesht tregoi padakortësi me të dhënat e Auron Tares, diçka krejt e natyrshme në një debat të tillë, por sulmoi mikun e gjithëkohshëm, që nga rinia e hershme e deri këto kohë, me raporte të forta e të padiskutueshme në planin shoqëror e atë zyrtar – Igli mik për kohë, po ashtu dhe Auroni, ndërkohë që ky i fundit si dhe Genti, i vogli i Tarajve, kanë mbajtur e mbajnë dhe pozicione zyrtare në nivelet e qeverisjes së PS. Auroni gjithashtu ka qenë edhe deputet, e bashkë me Gentin, edhe anëtarë të Asamblesë së PS.

Dhe fjalët e Ramës, në acididetin e tyre, nuk i shkonin përshtat këtij konteksti.

Njerëzit që janë askush kërkojnë të bëhen dikush duke guxuar që të prekin deri aty ku gjenden dikushët që De Rada thoshte “engjëjt që e bëjnë gostinë më vete dhe prishja e këtij rendi dhe përpjekja e shfrenuar e një luzme pseudosh që duke shfrytëzuar të gjitha parametrat dhe kushtet që ka krijuar kjo kohë e re për të hyrë në gostinë e tyre me dhunë dhe për të zëvendësuar engjëjt me djajtë, është e frikshme, por meriton të luftohet pa u dorëzuar”.

Pra, Rama e quan Auronin nja “askush”, ku në fakt, për të qenët dikush e ka dhe mik të shtrirë në kohë, e gjithashtu i ka besuar dhe detyra zyrtare – vitet e fundit, si kreu Agjencisë së Bregdetit (ish).

Po ashtu, qeveria ka investuar në idenë e Tares për projektin e Nivicës, që është dhe ngjizja e modeli referent më fantastik i projektit të “100 fshatrave”, si provë suksesi. Te “100 fshatrat”, Auron Tare, është gati-gati “aksioner” në idenë e projektit, si një ndër yshtësit e tij te Rama.

Nga ana tjetër, Tare(Auron), patjetër që është dikushi, jo thjesht nga protagonizmi publik, që jo domosdoshmërisht lidhet me rrjetet sociale, siç Rama aludon, pasi ajo që përfaqëson Butrinti në Shqipërinë e tranzicionit, një mrekulli e atraksionit turistik i ruajtur dhe i mirenaxhuar, mbi të gjitha fitimprurës nëse trajtohet dhe si njësi ekonomike, i dedikohet modelit të drejtimit të Tares para dhe pas vitit 2000.

Eshtë tjetër çështje nëse Tare ka dritëhije në punët e tij, por Rama nuk ka vënë në diskutim këtë, ka vënë në diskutim profilin e tij publik, ku, pa elegancën e duhur, e ka klasifikuar te delirantët me shumicë të kësaj kohe – falë rrjeteve sociale dhe këtu ka të drejtë – sipas së cilit kërkon të dalë nga anonimati për të qenë dikushi. Por Tare ka qenë dikushi, në kuptimin e profilit publik, siç ka qenë dhe Rama gjithashtu, edhe ai me qëndrime po ashtu kontraverse ndaj shumë figurave historike të së djeshmes, apo të së sotmes, siç ka qenë ndër ta dhe Kadareja. Duhet kujtuar se atë çfarë Rama vite më parë i ka bërë Kadaresë, së bashku me Lubonjën, besohet të ketë qenë vuajtja më e madhe intelektuale e shkrimtarit të njohur.

Këtë vuajtje do e kish në të gjallë dhe Noli, referenca kryesore e Ramës në stilin ligjërues, gjithashtu dhe Konica e Zogu, teksa do lexonin këto rreshta nga ai që sot drejton Shqipërinë:

“Atdheu prodhoi për dy vjet pothuaj aq heronj sa kishte prodhuar para pesëdhjetë vjetësh po për dy vjet, në rrethana njësoj të dyshimta. Dhe gjithë këto përmbysje e idolatrira në mendjet shqiptare nuk i shkakton askush nuk tjetër përveç historianëve. (mos fajëso më kot politikanët për to, sepse niveli i tyrë është i tillë, që, kur mësojnë se ka Zot, thërrasin rroftë Zoti, e po njësoj rroftë Kanuni, Koliqi e Konica). Me zbulimet e tyre, i hedhin njerëzit e varfër (që mes luftës për frymëmarrje mezi gjejnë kohë për të gëlltitur një gazetë) nga një breg në tjetrin, nga majëmalet në gremina. Mbas një letre që gjejnë diku në një kishë të Bostonit kërkojnë të na i ndërrojnë një orë e më parë mendimet për të kaluarën e afërt: popo, burrat tanë më të mirë të asaj kohe, Konica, Noli e Zogu, po bënin çmos për qeverinë shqiptare në ekzil, edhe pak ajo do të krijohej sikur…Dhe njerëzit e mjerë rrëmbehen kaq keq pas asaj marrëveshjeje që kurrë s’u lidh, saqë harrojnë se aty nga viti 1941 Konica i kalonte ditët kryesisht ose duke lexuar enciklopedinë britanike në Bibliotekën e Kongresit ose në Lynn afër Bostonit, me balerinën Sara.M., dashnoren e kohës së ambasadorllëkut, të cilën, me moshën e kaluar dhe sëmundjet e ndryshme që e kishin pllakosur, arrinte vetëm ta zhvishte dhe fërkonte nga pak; Noli rrinte dhe ai në të ngrohtë në St. George Street South Boston, rrethuar nga aroma e moçme e letrave dhe librave të zverdhur, duke pirë nga një gotëz verë që e linte pastaj mbi pianoforte, pë të rizbuluar në tastierë tonet e dalldisura të Bethovenit, vetëm e vetëm që të harronte Shqipërinë; kurse Ahmet Zogu përgjithësisht, pasi luante disa duar xing me Mullajdin Mulosmanajn, u kthehej përsëri me Geraldinën llogaritjes së pasurive të tyre të tundshme dhe të patundshme. Të tre, në thelb, vetëm një okupim kishin: se si të harronin Shqipërinë.

Mirëpo asnjë historian nuk na i tregon këto, asnjë historiograf nuk përshkruan se çfarë bënin Konica, Noli e Zogu në 99 përqind të kohës së tyre (diçka që në të vërtetë askush s’është në gjendje ta bëjë), ata marrin vetëm një të qindën e njëpërqindëshit, për të na mbushur mendjen mbi atdhetarinë e secilit”.   

Një aludim tjetër dhe tejet kontravers i Ramës, është ai mbi dyshimet e tij, se pas fakteve të publikuara nga Tare qëndron projekti i goditjes së klerik katolik, një shqetësim kulturor kurrë i shprehur prej tij.

“Kam qenë i terrrorizuar nga ideja se fatin e Camajt në publik për shkak të këtyre shkuartbiqëve të pashërueshëm që shet sallam e kikirkë (ku është Tare këtu, pasi s’është as shtatshkurtër?), mund të pësojë kleri katolik i Shqipërisë. Duket si plan po nuk është ashtu”, shprehet Rama, fjalë e logjikë që lë pa gojë, pasi ndërkohë, një hall të këtillë nuk e ka shfaqur as analisti me famë Gjekmarkaj, një prej “shenjtorëve” katolikë të mendimit publik shqiptar, apo sishoku i tij edhe politik Mark Marku.

E nga ana tjetër, që të aludohet se këtë projekt e udhëheq bektashiu kurveleshas Auron Tare, ky është një naivitet, më saktë një rrëshqitje që s’i shkon Ramës. Përkundër kësaj, Tare është shqiptarofil në ndjeshmëri dhe interes kulturor dhe futja në hullitë e komplotit anti-katolik është diçka më shumë se qesharake.

Gjithsesi, mund të ketë një përligjje qasja e Ramës, ajo e avokatisë ndaj Camajt, i ndodhur në një situatë ku dhe politikisht kërkon ta ketë të tijin faktorin katolik, por është krejt e papërligjur goditja pa finesë ndaj Tares, ku më së paku, Nivicën e ka model suksesi të qeverisjes. Më e pakta kjo.