Autoriteti i Konkurrencës ka marrë në shqyrtim kontratën koncesionare për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës dhe ka lëshuar rekomandime për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në përfundim të shqyrtimit, ky institucion i ka rekomanduar Autoritetit Kontraktues, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që nëse vlerëson se kontratat dhe marrëveshjet e lidhura nga Koncesionari përmbajnë kufizime në shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, t’i njoftojë ato pranë Autoritetit të Konkurrencës.

Komisioni i Konkurrencës ka vendosur gjithashtu detyrimin e ndërmarrjes Koncesionare që do të operojë Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, të respektojë detyrimet që rrjedhin nga ligji në fjalë.

Më konkretisht, kompania koncesionare nuk duhet të vendosë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmime të padrejta të blerjes ose shitjes apo e kushte të tjera të padrejta të tregtimit; nuk duhet të aplikojë kushte të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke mos i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence; nuk duhet të vendosë kushte për lidhjen e kontratave me palët e tjera, që këto të fundit të pranojnë detyrime shtesë, të cilat, për vetë natyrën e tyre ose sipas praktikave tregtare, nuk kanë lidhje me objektin e kontratave në fjalë.

Oferta fituese për zbatimin e projektit të Aeroportit të Vlorës u shpall bashkimi i operatorëve ekonomikë Mabco Constructions SA, Yda Insaat Sanayi Ve Ticaret Anonim Sirketi dhe 2A Group SHPK, me të cilët MIE në muajin prill të këtij viti ka nënshkruar kontratën e koncesionit/PPP “Për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës (VIA)”, me një kohëzgjatje 35-vjeçare.

Në bazë të kontratës, Koncesionarit i jepet e drejta ekskluzive dhe detyrimi për projektimin, financimin, ndërtimin, kolaudimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e aeroportit. Koncesionari do të ketë të drejtën e përcaktimit dhe arkëtimit të tarifave dhe të ardhurave të tjera të lejuara nga Kontrata.

Koncesionari do të përcaktojë Tarifat për Shërbimet Aeroportuale dhe Tarifat për Shërbimet Tregtare në mënyrë jodikriminuese dhe në përputhje me legjislacionin e zbatueshëm dhe praktikën e mirë të industrisë. Tarifat për Shërbimet Aeroportuale do të përcaktohen në përputhje me legjislacionin e zbatueshëm, veçanërisht nenin 29 të Kodit Ajror dhe aktet nënligjore përkatëse, si dhe me detyrimet ndërkombëtare.

Përpara vendosjes së këtyre tarifave Koncesionari duhet të njoftojë paraprakisht Autoritetin Kontraktues (MIE). Tarifat për Shërbimet Tregtare do të jenë të bazuara në vlerat e tregut dhe në përputhje me legjislacionin e zbatueshëm dhe praktikën e mirë të industrisë

Në bazë të së drejtës ekskluzive që ka, Koncesionari merr përsipër të garantojë të paktën një agjent ground handling (shërbime në tokë), i cili do të jetë i kualifikuar për të ofruar këto shërbime për të gjitha fluturimet që nisen ose mbërrijnë në VIA.

Megjithatë, Koncesionari do të lejojë kompanitë ajrore që operojnë me avionët e tyre në VIA, të vetë-menaxhojnë avionët e tyre, me kusht që ky shërbim të kryhet nga stafi dhe me pajisjet e kompanisë ajrore. Njohja e kësaj të drejtë vetë kompanive ajrore, duke mos qenë të detyruar që të paguajnë VIA-n për kryerjen e shërbimeve në tokë, do të ulë kostot e operimit të këtyre kompanive duke ndikuar njëkohësisht në uljen e kostove të biletave.

Sipas kontratës, koncesionari do të mundësojë një ose më shumë pika për furnizimin e karburantit dhe shërbimet e karburantit në VIA, si dhe do të sigurojë ofrimin e shërbimeve të duhura të ruajtjes dhe shpërndarjes së karburantit në çdo kohë gjatë afatit të kësaj kontrate.

Koncesionari mund t’i sigurojë këto shërbime drejtpërdrejt ose përmes ofruesve të shërbimeve nga palë të treta./E.Shehu