Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se përgjatë tre ditëve të ardhshme parashikohet një përkeqësim i motit, me reshje në të gjithë vendin. Ajo apeloi qytetarët që të bëjnë kujdes.

“Unë nuk ankohem dot për këtë shiun pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mezi pret që të mbushet kaskada e Drinit dhe parashikohet që në 3 ditët e ardhshme të kemi reshje në të gjithë Shqipërinë që duhet të kenë kujdes në zonat në të cilat ata banojnë. Moti do të përkeqësohet në të gjithë territorin e Shqipërisë, sidomos në veri dhe në jug të vendit. Por duhet kujdes edhe në të gjitha akset rrugore, pavarësisht se ne kemi bërë të mundur që të gjitha këto akse të jenë të aksesueshme edhe gjatë ditëve të kaluara kur ka pasur problematikë”, tha Balluku.

“Nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël”

Balluku nënvizoi pas mbledhjes së qeverisë se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël. Balluku theksoi se kjo do të garantohet përmes KESH-it, i cili duhet të furnizojë me të gjithë sasinë e nevojshme familjarët dhe biznesin e vogël.

“Nënvizoj faktin që nuk do të ketë rritje të energjisë elektrike për konsumatorët dhe biznesin e vogël këtë do të vazhdojmë ta garantojmë. Sot kemi vendosur një ndryshim për miratimin e kushteve për vendosjen e shërbimit publik ndaj të licensuarve gjatë gjendjes së emergjencës për përballimin edhe parandalimin e kësaj krize. Rëndësi ka koordinimi mes KESH dhe OSHEE për derregullimin e sektorit. KESH ka detyrimin e sektorit publik dhe duhet të furnizojë me të gjithë sasisë e nevojshme abonentet familjarë dhe biznesin e vogël. KESH detyrohet të prodhojë dhe dorëzojë pranë shpërndarësit 4.6 terravat sa është sasia që kërkohet në vit për familjarët dhe biznesin e vogël. Çmimi për ta do të mbetet i pandryshuar pasi detyrimi i këtij shërbimi i kalon KESH. Për të përmbushur këtë detyrim nevojitet marrja e masave shtesë nga KESH”.

Një tjetër akt i miratuar në mbledhjen e qeverisë konsolidimi i planifikimit financiar publik elektroenergjik që parashikon ndryshimet e disa indikatorëve të OSHEE që janë rishikuar në bazë të ngjarjeve nga prilli 2019 deri më sot.

“Akti i parë ka të bëjë me një ndryshim për miratimin e konsolidimit të planifikimit financiar publik elektroenergjik që parashikon ndryshimet e disa indikatorë të OSHEE që janë rishikuar në bazë të ngjarjeve nga prilli 2019 deri më sot, që kanë të bëjnë me tërmetin e 26 nëntorit, pandeminë dhe krizën energjetike. Të gjithë këto kanë sjellë rritje të konsumit dhe ulje të pagesave duke krijuar efekte negative, të cilët i kemi rishikuar dhe i kemi vënë në parametra realistë deri në 2026”.