– Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka premtuar zgjerimin e pistës së aeroportit ‘Nënë Tereza’. Në fjalën që mbajti në ditën e dytë të Forumit të Klimës së Biznesit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës tha se shumë shpejt do të nisë puna për të krijuar një pistë ku mund të ulen edhe avionë transoqeanikë. Balluku tha se gjithashtu vijojnë punimet për aeroportin në Vlorë, ku pista pretendohet se do të jetë 3.2 kilometra.

“Aeroportin e Tiranës do ta kemi me parametra totalisht të rinj, ku ka një terminal shtesë që funksionon prej disa muajsh. Dhe nga ana tjetër po përgatitet për të ridimensionuar pistën e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, kompania e cila menaxhon këtë aeroport për ta kthyer atë në një aeroport të aksesueshëm edhe nga avionët transoqeanikë. Por ndërkohë në Vlorë, kantieri po ecën me hapa të shpejtë për të dorëzuar në vitin 2025 aeroportin më të madh në rajon, me një pistë 3.2 km,”- tha Balluku.