Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh në fjalën e saj në Kuvend se me ndërtimin e portit të Vlorës do të vijë gazi i lëngshëm amerikan në Ballkan, që do të zëvendësojë gazin rus.

“Me ndërtimin e portit të lundrueshëm të Vlorës do të vijnë të gjitha anijet, të cilat do të sjellin gazin e lëngshëm amerikan në Ballkan për të zëvendësuar gazin rus. Por kjo nuk ju pëlqen, se ju jeni financuar nga gazi rus. Taksirat e keni, por Shqipëria do të shpërndajë gazin amerikan nga porti i Vlorës. Shqipëria do të ndërtojë pjesën e parë të një nga projektet më në të rëndësishme për sigurinë energjetike; do ndërtojë pjesë e parë të gazsjellësit Adriatik- Jonian. Janë 33 kilometra që do të lidhin portin e lundrueshëm të Vlorës me pikën e daljes të TAP në Fier”, u shpreh Balluku.

“9 muaj nga sot, nis puna në terren për Skavicën”

Balluku është shprehur më tej se Hidrocentrali i Skavicës është në vitin e dytë të projektit dhe pas 9 muajsh, ajo do fillojë punën në terren.

“Shqipëria ka nisur Skavicën të dashur deputetë, hidrocentralin e Skavicës që dikur ai që thotë harroje, është pikërisht personi që nga kjo foltore ka bërë fjalime pafund se si Skavica ishte ëndrra e shqiptarëve, po tani nuk është më ëndrra e shqiptarëve sepse nuk është ai që do ta realizojë.

Skavica është vepra më e rëndësishme hidrike në republikën e Shqipërisë pasi krijon rezervën natyrore që i duhet këtij vendi. Skavica është në vitin e dytë të projektit, tashmë është përfunduar projekti gjeologjik, studimi i fizibilitetit, ka mbaruar studimi i përgjegjësisë sociale dhe studimi mjedisor. Skaviza është në fazën e negocimit për financimin dhe 9 muaj nga sot Skavica do të fillojë punimet në terren. Ne kemi bërë atë që ju harxhuar paratë, e latë kredinë që sot e kësaj dite sot paguhet dhe nuk arriti të ndizej kurrë, që është termocentrali i Vlorës.

Ju në CV tuaj keni vetëm tmerre. Hidrocentrale të privatizuara për tvsh-në, hidrocentrale të ndërtuara që nuk u ndezën kurrë sepse kishit bërë një gabim ashtu në përllogaritje të cilat ne jo vetëm po i ndreqim, por nga një termocentral të cilin duhet ta ndezim dhe jo me 100 megavat siç e kishit parashikuar ju, por me 350 megavat në orë, ne e kemi kthyer në projektin më të madh të Ballkanit, projektin e integruar të gazit të lëngshëm amerikan”, tha Balluku.