Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i ka cilësuar të falsifikuara kartat me simbolet e Partisë Demokratike të shpërndara për Kuvendin e 11 dhjetorit, i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Përmes një e-mail dërguar degëve të PD në rrethe, Bardhi shprehet se “këto dokumente dhe përdorimi i të dhënave të anëtarëve nuk është autorizuar nga asnjë organ përfaqësues i Partisë Demokratike të Shqipërisë, dhe për pasojë ato janë dokumente të paligjshme dhe të falsifikuara, të prodhuara nga persona të paidentifikuar dhe që nuk përfaqësojnë asnjë organ të Partisë Demokratike të Shqipërisë”.

“Ky veprim synon të dëmtojë interesin politik të Partisë Demokratike, duke e shfaqur atë në sytë e opinionit publik si një celulë ilegale, ku cilido për interesin e tij personal mund të përdor simbolet e PD apo të dhënat e anëtarëve të PD”, shkruhet në e-mailin e Bardhit.

Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë takimeve të tij pothuajse të përditshme nëpër qytetet e vendit, të quajtura Foltore, pretendon se ka mbledhur numrin e nevojshëm për firmave për të thirrur kuvendin kombëtar të PD më 11 dhjetor.

Nga ana e tij, kreu aktual i PD, Lulzim Basha e cilëson këtë nismë në kundërshtim me statutin, dhe ka vendosur datën 18 dhjetor për të mbledhur kuvendin kombëtar të partisë.