Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka treguar sot versionin e tij të ngjarjeve të datës 8 Janar, kur në selinë e PD u zhvillua protestë.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Bardhi hodhi akuza kundër policisë duke thënë se është vonuar për të ndërhyrë. Ai thotë se ka folur me disa zyrtarë të lartë të policisë dhe i ishte thënë se duhet të bënte kërkesë më shkrim dhe jo me telefon.

Numri 2 i PD ka treguar se ditën e protestës në selinë e PD ishte një nga 6 drejtorët e Gardës së Republikës, i cili ishte për të mbrojtur Lulzim Bashën.

“Kam njoftuar zv, drejtorin e Policisë, e kam telefonuar dhe mbi bazën e kërkesës të disa kolegëve i kam kërkuar që të ndërhynte. Ai ma tha se po njoftonte dhe policia po mbërrinte. Njëkohësisht në seli me mua ishte një nga 6 drejtorët e Gardës së Republikës. Ishte drejtori i mbrojtjes së personaliteteve. Po ashtu dhe drejtori i Gardës njoftoi policinë.

Kam ritelefonuar pas 10 minutash, më pas kam marrë drejtorin e Policisë së Shtetit 4 herë dhe pasi kishin mashtruar delegacionet ndërkombëtar… Pasi kam telefonuar drejtorin e përgjithshëm të policisë, më ka kërkuar që të dërgojë shkresë zyrtare. E kam njoftuar me mesazh dhe kemi bërë njoftim publik. Më pas ka ndërhyrë policia e shtetit”, tha ai.

Për sa i përket ndërhyrjes së policisë, Bardhi u shpreh se ka qenë brutale, pasi personat që kanë qenë brenda selisë janë rrezikuar nga gazi lotsjellës.

“Së pari policia ishte e vonuar dhe ndërhyrja ishte brutale dhe ka rrezikuar jetën jo vetëm që ata ishin jashtë, por dhe ata që ishin brenda godinës. Ne që ishim brenda nuk dinim ku të shkonim, pasi kishte shumë gaz”, shtoi numri 2 i PD.

Bardhi tregon çfarë ndodhi në selinë e PD pasi u shpërnda protesta

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka treguar se çfarë ka ndodhur pas protestës së 8 Janarit në selinë e PD.

Numri 2 i PD tha pas protestës prokurorët kanë kontrolluar çdo ambient brenda selisë dhe janë pyetur të gjithë personat përveç deputetëve.

“Brenda selisë së PD ishin punonjës të Gardës dhe kanë qenë të pajisur me pajisje të ndryshme. Grupi hetimor ka bërë këqyrjen e çdo ambienti, kanë hyrë dhe në zyrën e deputetëve dhe tualetet e brendshme. Prokuroria ka pohuar se brenda selisë së PD pse përveç materialeve që posedoheshin nga Garda nuk ka pasur asnjë lëndë e jashtëligjshme.

Çdo person që ka qenë brenda selisë së PD, përveç deputetëve, i janë nënshtruar një kontrolli fizik dhe u janë marrë në pyetje duke treguar emër, atësi, mbiemër dhe numrin e kartës së identitetit”, tha ai.

Më tej Bardhi ka pranuar se brenda selisë së PD ditën e protestës kanë qenë dhe anëtarë të partisë, përveç zyrtarëve të lartë.