Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u ka kërkuar deputetëve të zbresin në bazë për konsultime lidhur me reformën territoriale.

“Nisni konsultimet me qytetarët në zonat tuaja për reformën territoriale. Së shpejti do të ngrihet grupi i punës në PD për të hartuar draftin ligjor”, u tha Basha deputetëve gjatë mbledhjes së grupit parlamentar.

Kryetari i demokratëve ka kërkuar gjithashtu që deputetët të jenë më afër qytetarëve për problemet, që ata kanë.

“Bëhuni zëri i problemeve të qytetarëve. Zbrisni në zonat tuaja dhe bëni publike shqetësimet e tyre. Rritja e çmimeve është skandaloze në kushtet e një varfërie që ka përfshirë shumicën dërrmuese të qytetarëve. Merrni informacion pranë prokurorive për ecurinë e hetimeve për masakrën zgjedhore të 25 prillit. Duhet bërë transparencë e procesit hetimor që po zvarritet me urdhra politik dhe ndjekur në çdo hallkë të gjyqësorit dhe jo vetëm. S’mund të pretendohet për drejtësi të pavarur për sa kohë nuk ndëshkon dhunuesit e procesit zgjedhor. Ne duhet të bëjmë gjithçka për të ndarë politikën nga krimi me iniciativa ligjore e qytetare dhe denoncuar aferat e përditshme korruptive të qeverisë më të korruptuar të Europës e ndër më të korruptuarat në botë”