Tetë vite të vështira për vendin. Kështu e konsideron Lulzim Basha qeverisjen e kundërshtarit të tij, kryeministrit Edi Rama. Sipas Bashës, 75% e të rinjve duan të largohen nga vendi. Po ashtu sipas tij, 94% e atyre që studiojnë jashtë nuk duan të kthehen në Shqipëri.

Kreu i demokratëve deklaroi se nëse vjen në qeveri hapi i parë që do të ndërmarrë është abrogimi i ligjit për arsimin e lartë.

“Në vend që t’ju ndihmonte jua bëri jetën më të vështirë. Akti i parë në programin tonë është abrogimi i ligjit për arsimin e lartë dhe një ligj i ri i përmasave dhe parimeve europiane. Do të bëjmë të mundur autonominë universitare”, tha Basha.

Kreu i demokratëve ishte pjesë e një takimi me studentë dhe përfaqësues të Studentëve Europianë Demokratë (EDS). Kreu i EDS-së, Carlo Angezano, tha se të rinjtë shqiptarë janë me fat që kanë një udhëheqës si Lulzim Basha.

“Ju duhet të drejtoni rrugën drejt ndryshimit! Merrni kontrollin e së ardhmes tuaj në 25 Prill! Ju jeni me fat që keni një udhëheqës si Lulzim Basha. Lulzim Basha, politikan i ri, energjik, i cili ka bërë kaq shumë për vendin e tij. Familja EPP beson te Basha. Basha ka një vizion, një mision për të transformuar Shqipërinë”, tha ai.