Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PD, Lulzim Basha vazhdojnë përplasjen në distancë. Këtë herë në qendër të akuzave dhe kundër akuzave është trualli ku ndodhet selia e PD. Berisha akuzon se trualli do të kthehet në një hapësirë ku do të ndërtohen kulla.

“Përveç Portit të Durrësit, projekti për ndërtim e kullave te PD i bën prap bashkë Ramën dhe Bashën. Duke dënuar këtë aferë të pastër korruptive kriminale Rama-Basha paralajmëroj këta bashkëhajdutë se selia e PD është tempulli i demokratëve shqiptar dhe kurrë nuk mund të tjetërsohet nga bandat e narkoshtetit shqiptar”, shkruan Berisha në Facebook.

Ish-kryeministri Berisha në një reagim në rrjetet sociale shprehet se ky projekt nuk është firmosur prej tij në 2013, pasi në atë kohë ka firmosur vetëm për ndërtimin e Xhamisë së Madhe por sipas tij është një aferë Rama-Basha.

Në reagimin e Partisë Demokratike për këtë çështje thuhet se është një akuzë e Berishës me qëllim për të tërhequr vëmendje nga protesta e dhunshme më 8 janar.

“Sqarojmë gjithë opinionin publik se selia e Partisë Demokratike është pronë publike. Ajo është shtëpia e demokratëve, nuk është bunkeri i Sali Berishës e aq më pak hapësira e pastrimit të parave të ortakeve të tij”, përfundon reagimi i PD.

Projekti ku parashikohet ndërtimi i tri kullave krah Xhamisë së Madhe është publikuar në faqen e studios arkitekturore “Mgs Architecture” me qendër në Delhi të Indisë. Nga përshkrimi duke se bëhet fjalë për një projekt që ka dështuar të realizohet pasi ndërtimi parashikohej të kryhej në vitet 2018-2021.

Gjatë kohës së miratimit të lejes për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë pati reagime të forta si nga komuniteti islam por edhe aktorë të shoqërisë civile dhe politikanë për të mos lejuar ndërtimin e kullave krah objektit të kultit.

Projekti që nuk u realizua kurrë në fakt përfshin si ish-kryeministrin Sali Berisha ashtu dhe kreun e PD, Lulzim Basha. Në kohën e firmosjes së lejes së ndërtimit për xhaminë, kryeministër ishte Berisha ndërsa kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.